Shendet

Historike / Kryhet transplanti i parë i syrit, mjekët: Është një hap i madh, ishte menduar më parë, por nuk ishte arritur kurrë

Në New York është kryer transplanti i parë i syrit të njeriut. Operacioni, i kryer gjashtë muaj më parë gjatë një transplanti të pjesshëm të fytyrës, duket se ka shkuar mirë sipas mjekëve që e kryen atë.

“Fakti që ne kemi transplantuar një sy është një hap i madh përpara, është diçka që është menduar me shekuj, por nuk është bërë kurrë”, thotë Eduardo Rodriguez, mjeku që drejtoi ekipin që kreu operacionin që zgjati 21 orë, ku pjesë ishin 140 mjekë dhe ekspertë.

Aksidenti në vitin 2021

Pacienti është veterani ushtarak i Arkansas, Aaron James, fytyra e të cilit preku një tel të ndezur ndërsa punonte si punonjës i mirëmbajtjes elektrike në Oklahoma në qershor 2021. Aksidenti e la atë me djegie të rënda në anën e majtë të fytyrës, duke përfshirë syrin e majtë, hundën dhe buzët dhe dëmtime të shumta në krahun e tij të majtë.

Operacioni për transplantin e pjesshëm të fytyrës dhe të gjithë syrit kërkoi ndihmën e 140 kirurgëve. Syri i transplantuar tregon shenja "të jashtëzakonshme" të shëndetit të mirë, por James ende nuk mund të shohë dhe shpreson se me kalimin e kohës shikimi i tij do të kthehet.

"Është shpresa ime më e madhe. Nëse mund të shoh do të jetë fantastike. Nëse operacioni hap një rrugë të re në fushën mjekësore, unë jam plotësisht në favor të tij", tha James.

Kirurgët në NYU Langone Health, të cilët kryen operacionin e ndërlikuar, thanë të enjten se James, 46 vjeç, po shërohej mirë nga transplanti i dyfishtë dhe syri i dhuruar dukej jashtëzakonisht i shëndetshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë