Kosova po shënon sot arritjen më të madhe diplomatike të viteve të fundit, duke marrë njohjen zyrtare dhe duke lidhur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Prishtina dhe Tel Avivi po formalizojnë marrëdhëniet në një ceremoni virtuale, gjatë të cilës ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla dhe kryediplomati izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan një dokument të përbashkët.
Ministri izraelit, Ashkenazi tha se të dyja shtetet po shkruajnë historinë dhe se ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.
"Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, një moment që është pritur nga shumëkush. Kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes Zoom-it. Sot ne kemi mundësi që të rrisim bashkëpunimin me popullin e Kosovës, me të cilin kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore", tha ai.
“Dua të promovoj marrëdhënie dypalëshe ndërmjet Izraelit dhe Kosovës dhe urë në shumë fusha, përfshirë shëndetësinë, turizmin, inovacionin, ekonominë, pothuajse gjithçka për të cilat ne mund të bisedojmë. Izraeli dëshiron një Ballkan stabil. Marrëveshja e nënshkruar në Uashington për përparim ekonomik në mes të dy miqve tanë, Serbisë dhe Kosovës ne na inkurajon. Izraeli e konsideron Serbinë një partner po aq të afërt dhe të rëndësishëm në Ballkan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të thelluar dialogun tonë në Serbi”, tha Ashkenazi.
Po ashtu, Izraeli ka falënderuar Kosovën për rolin që ka marrë në luftën kundër antisemitizmit.
Ndërkaq, minstrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, tha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh nga ana tjeter se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shteti i Kosovës, shënon konsolidim në arenën ndërkombëtare duke krijuar miq edhe në Lindjen e Mesme.
Ai tha se ky zhvillim e thyen bllokadën e njohjeve për Kosovën.
Hoti shtoi se krahas dokumentit për marrëdhënie diplomatike, të dyja vendet kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje tjera që fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik.
I dërguari i ish-presidentit Donald Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka reaguar duke e cilësuar ditën e sotme “ditë vërtetë historike”, ndërsa e ka falenderuar ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme izraelite, ish-presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e ri të Shtetit në SHBA, Antony Blinken.
Kryediplomatja kosovare shtoi se Kosova ka pritur një kohë të gjatë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin.
“Sot, Izraeli bëhet shteti i 117 që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, shtoi Haradinaj-Stublla.
Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, kur Kosova është zotuar se do të hapë ambasasën e saj në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem. Por analistët paralajmërojnë se se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të prodhojë reagime të forta ndërkombëtare.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi përmes një letre se këto zhvillimet në mes të Izraelit dhe Kosovën mund të çojnë drejt një epoke të re, në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.
Administrat e ish-presidentit Donald Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit në vitin 2017 dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën amerikane në këtë qytet. Ky vendim nxiti kritika në mesin e palestinezëve, vendeve me shumicë myslimane dhe shumë shteteve në Europë, të cilët shprehën shqetësimin se një vendim i tillë do të mund të minonte prospektet për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Megjithatë, gjatë ceremonisë, në mënyrë simbolike u zbulua edhe pllaka që do të vendoset pranë amabasadës së Kosovës në Jeruzalem.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka mirëpritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike duke theksuar se akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, tha Osmani përmes një deklarate për media.
Ambasadorja e Kosovës në Izrael pritet të jetë Ines Demiri, e cila në vitin 2020 ishte emëruar si e ngarkuara me punë e Kosovës në Tel Aviv. Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë thënë se kjo ngjarje është historike, pasi për herë të parë dy shtete vendosin marrëdhënie përmes platformave virtuale.
Analisti Artan Muhaxhiri thotë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit do të ndikojë në konsolidimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
”Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në rifillimin e një angazhimi të Kosovës në sferën ndërkombëtare, pasi tashmë është e qartë se ekziston një stanjacion sa i përket avancimit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar”, tha Muhaxhiri.
Po ashtu edhe Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos theksom se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, mund të jetë edhe sinjal për shtete që nuk e kanë njohur Kosovë, të marrin një vendim të tillë, pavarësisht problemeve të brendshme.
“Ka disa shtete të cilat nuk e njohin Kosovën, me arsyetimin se kanë problem të ngjashme në territorin e tyre, siç është Spanja. Tashmë ky element mund të përdoret nga Kosova, përderisa Izraeli ka tejkaluar problemet e tij në lidhje me Palestinën, edhe Spanja mund të tejkalojë problemin e Katalonjës, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën”, tha Emini.
Megjithatë, Donika Emini shprehet se hapja e ambasadës së Kosovë në Jerusalem mund të shkaktojë reagime nga shtetet tjera të botës.
“Hapja e ambasadës në Jerusalem, mund t’i kushtojë Kosovës marrëdhëniet diplomatike solide me Turqinë dhe botën arabe. Duhet të dimë se si duhet të navigojnë në situata të tilla. Duke marrë parasysh dëmtimi i marrëdhënieve me Turqinë, por edhe me Bashkimin Europian, pasi ka pasur reagime nga BE- ja për zhvendosjen e ambasadës së Serbisë në Jerusalem dhe ndërtimit të ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thekson Emini.
Përveç Kosovës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit edhe Serbia do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem. Megjithatë, deri më tani Serbia nuk ka marrë asnjë veprim për të përmbushur këtë pikë të marrëveshjes.
Ky vendim është jashtëzakonisht i vështirë për shtetin e Serbisë, konsideron Artan Muhaxhiri.
“Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht shumë të mira me vendet arabe dhe ky vendim do ta dëmtojë raportin me këto vende, duke ditur raportet që ato kanë ndaj shtetit të Izraelit. Pra, edhe ky është një fakt që duhet të shfrytëzohet nga shteti i Kosovës për të dëshmuar hipokrizinë politike të Serbisë, e cila dëshiron që të përfitojë nga të gjitha palët”, thekson Muhaxhiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.