Futboll

Historia, ndryshoi identitetin dhe moshën për të firmosur me Hamburgun

Historia e tij ka bërë bujë në Gjermani. I riu afrikan mbërriti në këtë vend pasi ia kishte mbathur nga Gambia, kishte përshkuar Shkretëtirën e Saharasë dhe më pas me një barkë kishte kaluar Mesdheun, duke shkuar në Itali. Në vitin 2015 mbërriti në destinacionin final, në Gjermani. Kishte treguar në atë kohë se nuk kishte luajtur kurrë futboll me një skuadër të vërtetë, por vetëm në rrugë dhe këmbëzbathur. Përfundoi në një kamp refugjatësh në Veri të Gjermanisë, u kërkua edhe nga Verder Bremeni, por zgjodhi Hamburgun dhe firmosi një kontratë profesionisti me klubin e njohur, aktualisht në Bundesligën 2.

Debutoi në Bundesligë 18 vjeç dhe quhet Bakery Jatta, i lindur më 6 qershor 1998. Por këto të dhëna nuk ishin bindëse sa i takon anës sportive dhe “SportBild” filloi të bënte kërkime për të kaluarën e këtij lojtari, duke zbuluar të reja interesante, por edhe kompromentuese.

Bakery Jatta, apo Bakary Daffeh, me fanellën e Hamburgut. Gazeta Si, 7 gusht 2019

Bakery Jatta në fakt është Bakary Daffeh, i lindur më 6 nëntor 1995. Është aktivizuar në një ndeshje me të rinjtë e Gambias, duke shënuar edhe golin e vetëm ndaj Liberisë. Kishte luajtur në divizionin e parë në vendin e tij, në Nigeri dhe në Senegal. Ka ngjashmëri totale në fotot e tij me këto skuadra, pastaj janë edhe dëshmitë e trajnerëve që e kanë stërvitur. Gjithashtu, domethënës është fakti që nga vera e 2015-ës, kur Jatta mori rrugën për në Europë, u zhduk nga formacionet dhe kronikat sportive afrikane. Ndryshimi i identitetit dhe i moshës mbi të gjitha lidhet me faktin se si minoren, i pashoqëruar nga prindërit, kishte nevojë për mbrojtje dhe kishte më shumë shanse për të qëndruar në Gjermani si azilant. Në atë kohë nuk u zbulua e vërteta, sepse Hamburgu u mjaftua me faktin se pasaporta dhe leja e qëndrimi ishin në rregull.

Jatta/Daffeh gjithsesi u tregua një lojtar i zoti. Në 47 ndeshje me skuadrën e parë ai realizoi 5 gola dhe dha 3 asiste, ndërsa me skuadrën B shënoi 20 gola në 37 ndeshje. Tani rrezikon maksimumi një skualifikim dhe mbiemrin e vërtetë në fanellë. Kështu mund të gjejë vetveten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë