Futboll

Historia/ Kur Skënderbeu e Kukësi bënin luftë për ekzekutuesin e Interit

Piter Olainka ka pushtuar sot faqet e para të shtypit sportiv në Çeki dhe Shqipëri. Vëmendje i kanë kushtuar gjithashtu sulmuesit nigerian të Sllavias së Pragës edhe gazeta të njohura sportive në Europë. Ai ishte “heroi” i Sllavias ndaj Interit, jo vetëm me golin e shënuar. Është 23 vjeç dhe premton shumë. Rritja e tij si lojtar ka qenë e jashtëzakonshme dhe gjithçka fillon në Shqipëri, te Bylisi, 7 vjet më parë.

Bylisi, një ekip i dashuruar me afrikanët, e solli në Shqipëri në vitin 2012, bashkë me disa të tjerë. Ishte 17 vjeç dhe me një fizik disi të brishtë, por shumë i shkathët dhe i shpejtë. Piter Olajinka nuk mundi të luante në atë kohë me Bylisin, sepse nuk kishte mbushur moshën për t’u federuar me ekipin e parë. Stërvitej me të rinjtë e Bylisit dhe për disa muaj u huazua në kampionatin e Qipros turke, që nuk njihet nga UEFA dhe nuk kishte probleme dokumentesh. Në vitin 2014 filloi të luante me Bylisin dhe menjëherë klubet kryesore të Superiores e vunë në shënjestër, me Skënderbeun dhe Kukësin në krye.

Piter Olainka feston golin e shënuar ndaj Interit. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Për nigerianin u bë një luftë e vërtetë mes këtyre dy klubeve dhe çështja shkoi edhe në Federatë. Olainka kaloi te Skënderbeu, por kuksianët pretendonin se klubi korçar ua kishte “vjedhur” nga hoteli. Më pas rezultoi se ishin firmosur dy kontrata në të njëjtën kohë nga ky lojtar, një me Kukësin dhe një tjetër me Skënderbeun. Për këtë veprim sulmuesi mori një dënim prej 4 muajsh pezullim nga aktiviteti nga FSHF-ja. Një dënim që i prishi punë Skënderbeut të kohëve të arta.

Nigeriani përfundoi dënimin dhe u kthye në fushë si titullar i skuadrës së drejtuar në atë kohë nga trajneri Mirel Josa. Kryeqytetasi nuk e vinte në diskutim aktivizimin e Olainkës, të cilin e konsideronte si mbrojtësin e parë të skuadrës së tij, për shkak të presingut të vazhdueshëm që ai ushtronte ndaj kundërshtarit në mbrojtje. Një paraqitje shumë e mirë me fanellën e Skënderbeut në kampionat dhe në Europë, për t’u bërë në vitin 2016 shitja më e shtrenjtë jo vetëm në historinë e klubit korçar, por edhe atë të kampionatit shqiptar.

Olainka me fanellën e Skënderbeut në një ndeshje te Ligës së Europës ndaj Beshiktashit. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Piter Olainka u ble për 1.1 milion euro nga Gent i Belgjikës. Skënderbeu mbushi arkën, por edhe Bylisi fitoi diçka, sipas përqindjes që i takonte si klubi i parë. Shumë i ri në moshë, por me një talent të padiskutueshëm. Genti nuk kishte hapësirë për të dhe e huazoi fillimisht te Dukla në Çeki dhe më pas te Zulte në Belgjikë. Drejtuesit e Sllavias, pasi e njohën në aktivizimin disamujor në kampionatin çek, vendosën ta blinin nga Genti dhe me siguri nuk janë bërë pishman. Kanë marrë një lojtar me shumë vlera dhe që është ende shumë i ri.

Ai gol i shënuar ndaj Interit në Champions me siguri do ta katapultojë në një ekip më të madh europian. Përveç çekëve, me Piter Olainkën krenohen edhe Bylisi e Skënderbeu, kurse Kukësi do ta ketë një nga pengjet më të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë