Kombetarja

Historia ime! Një dokumentar kushtuar ish-kapitenit të Kombëtares, Ansi Agolli

Gazeta Si – Në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’ u zhvillua sot në mbrëmje ceremonia e premierës së dokumentarit ‘Historia ime’, që i kushtohet ish-kapitenit të Kombëtares, Ansi Agolli.

Në këtë event të veçantë merrnin pjesë shumë personalitete të botës së futbollit, ish-lojtarë të Kombëtares dhe ata që janë aktualisht pjesë e kuqezinjve, bashkë me stafi teknik.

Dokumentari flet për gjithë karrierën e ish-mbrojtësit, e nisur te Tirana e për të vazhduar në Finlandë, Azerbajxhan, ku Agolli është edhe sot një idhull për tifozët e Karabagut, dhe për t’u mbyllur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Momentet kulmore të rrugëtimit të tij janë Europiani 2016 me Kombëtaren dhe grupet e Ligës së Kampionëve me skuadrën azere.

Agolli dhe Altin Lala gjate ceremonise se sotme. Gazeta Si, 13 qershor 2023

“Emocionet më të mëdha i kalova gjatë rrugëtimit tim, ky është një celebrim. Shpresoj që dashamirësit e futbollit ta pëlqejnë dhe të marrin mesazhin. Rrugëtimi ka shumë momente, është një maratonë e gjatë, çdo njeri që është i përfshirë në dokumetar ka vendosur një ‘tullë’ në arritjet e mia dhe të kombëtares.

Nuk e kisha menduar se do të kisha një dokumetar, por duke punuar me kokën poshtë dhe i përulur gjithnjë në momentet kulmore kam vazhduar para për të bërë edhe më mirë. Ky është sekreti, prandaj kam pasur jetëgjatësi, kam dashur të mësoj gjithnjë e më shumë. Duhet të punohet fort dhe çdo ndeshje duhet të jetë si finale, sepse futbolli përfundon shpejt”, - tha Agolli gjatë ceremonisë.

Një tjetër ish-kapiten kuqezi, Altin Lala, e vlerëson kështu fiugurën e Agollit: “Djalë shumë i urtë dhe i sjellshëm, profesionist. Ka bërë një karrierë të madhe dhe ka merituar gjithçka. Ka qenë shumë bashkëpunëtor. Shumë pak e kanë pasur të majtën e tij, gjithnjë në shërbim të kombëtares. Agolli ka çfarë t’u mësojë të rinjve”.

Armand Duka, president i FSHF-së, u shpreh: “Ansin e kam njohur gjatë gjithë karrierës dhe kam pasur shumë respekt për atë që ka transmetuar në fushë dhe jashtë saj. E kanë vlerësuar të gjithë, është brezi i lojtarëve që shkuan në Europian. Ka qenë për shumë vite pjesë e Kombëtares, një djalë i shkëlqyer dhe shembull për t’u ndjekur”.
Ansi Agolli numëron 73 ndeshje me Kombëtaren shqiptare dhe 3 gola të shënuar. Në nivel klubesh ai ka bërë histori me Karabagun në Azerbajxhan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë