Futboll

Historia e zakonshme, 4 klube shqiptare me merkato të bllokuar nga borxhet

Klubet shqiptare vazhdojnë ta vuajnë ende sot problematikën e anës administrative, më saktë të rregullsisë së dokumentacionit me marrëveshjet që firmosin apo prishin me futbollistë të ndryshëm. Ata dalin zbuluar sa herë që një lojtar, sidomos të huajt, çdojnë dhe fitojnë në FIFA një çështje për likuidime të pashlyera financiare.

Më e keqja është se në këtë situatë gjenden shpesh në sesionet e merkatos edhe klubet e Superiores, madje edhe ato me më shumë emër, siç është Tirana, ekipi më i titulluar në vend. Kryeqytetasit edhe aktualisht e kanë të bllokuar merkaton për shkak të një detyrimi që kanë ndaj një klubi afrikan, nga i cili kanë marrë dy lojtarëve më parë, Danso dhe Guamfi. Dhe më keq akoma, kjo është një çështje e vjetër te Tirana.

Nga nje ndeshje mes Tiranes dhe Kastriotit, dy klube me merkato te bllokuar. Gazeta Si, 7 janar 2022

Të bllokuar e kanë merkaton edhe Skënderbeu dhe Kastrioti që luajnë në Superiore, si dhe Bylisi i Kategorisë së parë, që nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje pa shlyer më parë detyrimet që kanë, pasi nga FIFA nuk ka asnjë tolerim në këto raste.

Zgjidhja shpesh gjendet me një marrëveshje mes palëve për likuidimin me këste, por edhe në këtë rast klubet tona nuk tregohen korrekte dhe vazhdojnë të vuajnë pasojat, ndërkohë që vlera e borxhit rritet edhe për shkak të kamatës për vonesën. Zyrtarët adaptë për të shmangur probleme të tilla në klubet tona vazhdojnë të mungojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë