Futboll

Historia e pabesueshme e Van Dijk, nga pjatalarës në mbrojtësin më të shtrenjtë në botë

Historia e pabesueshme e futbollistit që është vlerësuar si më i miri i vitit në Premier League, holandezit Virxhil Van Dijk. Kur ishte adoleshent punonte në një restorant dhe paguhej 3 stërlina në orë, ndërsa sot lojtari i Liverpulit është mbrojtësi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave. E kaluara e tij, për të mos u humbur…

Historia e Virxhil van Dijk është ajo e një njeriu, i cili ia ka dalë në jetë. Historia e një njeriu që para se të bëhej ai që është sot, njëri prej mbrojtësve më të mirë të qendrës në botë, i është dashur t’i bëjë llogaritë me ekzistencën: pak para dhe fëmijëri shumë e vështirë. Sot Van Dijk është “Lojtari i vitit” në Angli, sipas BBC-së. Është mbrojtësi më i shtrenjtë, për të cilin Liverpuli kaloi në arkat e Southemptonit plot 85 milionë euro që të fitonte konkurrencën me klubet e tjera. Holandezi fiton sot 10.7 milionë euro në sezon. Jo keq për një person, që për të realizuar ëndrrat e tij futbollistike punonte për 3 stërlina në orë në restorantin “Oncle Jean” në Breda, qytetin e lindjes. Gjithçka e zbulon prestigjiozja britanike “Sun”, që flet për një fëmijëri të komplikuar të mbrojtësit dhe për një jetë familjare mjaft të vështirë.

Virxhil van Dijk me trofeun e "Lojtarit të vitit" në Angli

Babai ka munguar në familjen e tij dhe kjo shpjegon zgjedhjen e futbollistit për të mbajtur në fanellë vetëm emrin e pagëzimit. Nëna dhe dy vëllezër, për të cilët duhet të kujdesej, por pa e braktisur kurrë ëndrrën e futbollit. Ishte ende minoren, kur jeta e tij ishte e ndarë mes futbollit dhe punës: stërvitje me ekipin Vilem II dhe pastaj me biçikletë drejt restorantit. Zhak Lips, pronari i “Oncle Jean”, tregon për “Sun”: “Virxhil ishte një punëtor i mirë dhe stërvitej shumë fort që të bëhej një profesionist. I thosha ta linte futbollin dhe të rrinte në restorant që fitonte më shumë para.”

Restoranti "Oncle Jean" në Breda të Holandës, ku van Dijk punonte në fëmijëri

Por van Dijk as që e mendonte të dorëzohej. Pas Vilem II, ishte Groningeni klubi që i lejoi të merrte patentën dhe të linte mënjanë biçikletën. Dhe aty nisi rritja e mbrojtësit më të kushtueshëm në botë, që kaloi te Selltiku e më pas në Angli, me Southemptonin dhe tani Liverpulin. Virxhilit nuk i ka munguar kurrë forca dhe vullneti për të bërë më të mirën në jetë, por në një moment kritik, siç tregon vetë futbollisti, ka menduar edhe tërheqjen. Ishte koha kur luante me Groningenin dhe një problem serioz në apendicit i vuri në rrezik edhe jetën. “Kam parë vdekjen me sy, ishte një moment i tmerrshëm. Unë dhe nëna ime qanim bashkë”, - rrëfen holandezi.

Van Dijk feston një gol me fanellën e Liverpulit

Një moment mjaft delikat, që e shtyu të mendonte më të keqen: van Dijk kishte firmosur një testament, me anë të të cilit i linte çdo pasuri të tij nënës. Por sëmundja kaloi falë gjendjes së tij të fortë fizike. Dje “Oncle Jean”, kurse sot Liverpuli, ndërsa e ardhmja është përpara dhe e gjitha për t’u shkruar për Virxhil Van Dijk, një nga mbrojtësit më të mirë në botë, për të cilin specialistët e futbollit në Angli shprehen se ai bën vetëm një repart të tërë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë