Ana e errët

“I dashuri më jepte drogë me zor, më rrihte me këmbë karrigeje. Tentoi të më mbyste në dush”… Dashuri në Gjermani, dhunë në Tiranë, flet 28-vjeçarja e mbajtur peng

Gazeta Si - Një histori dashurie që lindi nga ambientet e një spitali në Gjermani, ku punonte si infermiere, u kthye në një tmerr për një 28-vjeçare nga Tirana, e cila u mbajt peng dhe u dhunua për një javë nga partneri i saj, Gleard Gusholli.

Pas arrestimit të 31-vjeçarit një ditë më parë, e reja ka treguar se vuante prej kohësh dhunën nga njeriu i zemrës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të zonës së ish-Parkut të Autobusëve, në rrugën “Frosina Plaku”.

Nga spitali në kryeqytet, ajo ka treguar se Gusholli, e ka dhunuar me këmbë karrigeje, shkelma dhe grushte.

LEXO EDHE:
Mbajti me forcë për një javë bashkëjetuesen në shtëpi dhe e dhunoi, arrestohet 31-vjeçari në Tiranë

Sipas saj, dhuna kishte nisur që në Gjermani, ku e mbajti në shtëpi, por prindërit e përzunë pasi nuk e pranonin sjelljen agresive ndaj të bijës. Kishin 1 vit e gjysmë që ishin njohur dhe 3 muaj pas ndarjes nisën sërish të komunikonin.

E reja arriti të shpëtojë falë kushërirës së Gushollit, e cila e çoi në spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe ka rrëfyer gjithçka ndodhi me të dashurin që u arrestua mëngjesin e djeshëm.

"Unë kam ardhur më datë 1 prill për të bashkëjetuar me Gleardin. Java e parë ka kaluar mirë, nuk jemi zënë, kemi sistemuar shtëpinë tonë. Javën e dytë kam parë tmerr me sy, kam parë vdekjen me sy".

Autori i dyshuar, Gleard Gusholli

Në rrëfimin që bëri para mediave, ajo tregoi se i dashuri e ka detyruar të konsumojë drogë, e torturonte duke e rrahur me këmbë karrigeje, i fuste gishtat në fyt dhe tentonte ta mbyste në dush.

E rënduar psikologjikisht dhe fizikisht, thotë se nuk po duronte dot më dhe donte të ndërmerrte aktin ekstrem, por nuk e linte partneri që të dilte jashtë.

“Kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni, se nuk e duroja dot më. Më gjuante me grushte e me shkop. Më nxirrte thikën, ma mbante te këmba, më thoshte do ta çaj barkun. I lutesha të më hapte derën. Nuk më do mirë, vetëm më hap derën. Donte të hakmerrej se kemi qenë 3 muaj të ndarë, - rrëfen vajza. - Në Gjermani ka nisur nga dhuna. Prej xhelozisë donte të hakmerrej, më merrte telefonin, nuk kontaktoja dot askënd. Në Gjermani kemi bashkëjetuar 1 muaj e gjysmë dhe prindërit e mi e nxorrën nga shtëpia. Më fuste 4 gishtat në grykë dhe donte me ma marr shpirtin. Unë e dija që po vdes e po jap shpirt. Më ka dhunuar. Ditën që erdhi goca e dajës për të më ndihmuar, rreth 15 herë më fuste gishtat në fyt e donte të më mbyste”, shtoi e reja.

Shkak sipas 28-vjeçares, ishte se i dashuri pretendonte se familja e saj kishte gisht në një kallëzim ndaj tij në polici, që e ndalonte të hynte në Gjermani, por në fakt thotë se nuk e kishin denoncuar asnjëherë.

Me autorin e dyshuar të ngjarjes, 28-vjeçarja ishte takuar në një spital në Gjermani. Ajo është lindur dhe rritur atje, aty ku ka edhe familjen, por ishte kthyer në Shqipëri për shkak të dashurisë për të riun.

Vajza punonte atje si infermiere dhe është njohur me Gleard Gushollin në Gjermani, kur ky i fundit ka qenë në spital dhe është dashur të përkthejë për të.

Nga ai moment kishin nisur një histori dashurie dhe së fundmi e reja ishte kthyer në Shqipëri për të bashkëjetuar.

Shkak për gjithë këtë ngjarje të rëndë dyshohet se u bë xhelozia e sëmurë e 31-vjeçarit. Sakaq, avokati mbrojtës i vajzë, Enea Cenko ka kërkuar mbrojtje për klienten e tij.

Avokati i vajzës, Enea Cenko

“Drejtësia të flasë për rastin, kërkojmë mbrojtje dhe siguri për jetën e vajzës”, ka deklaruar Cenko. Në një prononcim për mediat, ai kërkoi rikualifikim të veprave penale që rëndojnë mbi 31-vjeçarin, në pengmarrje dhe tentativë vrasje.

Avokati po ashtu tregoi se 28-vjeçarja ka lindur e është rritur në Gjermani, ku punonte si infermiere.

Për heqjen e paligjshme të lirisë të vajzës, e cila u mbajt peng për një javë, policia arrestoi jo vetëm të dashurin e saj, por dhe katër të tjerë, të cilët kishin dijeni.

Më konkretisht Besmir Nurçellari dhe Arjan Sheta, nuk kallëzuan krimin dhe fshehën provat. Ndërsa dy vëllezërit Bledi dhe Erlind Katreshi e larguan nga vendi i ngjarjes autorin e dyshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë