Futboll

Hipoteza e The Times: Po lind ‘All Star Game’ e futbollit europian!

Gazeta Si – Sipas burimeve të prestigjiozes britanike ‘The Times’, ka një projekt për të vënë përballë formacionet më të mira të katër kampionateve më të forta europiane.

‘All Star Game’ e futbollit europian mund të bëhet shumë shpejt realitet. Ideja e hedhur pak javë më parë nga pronari i ri i Çelsit, Todd Boehly, nuk u pëlqeu shumë të zotëve të punës, trajnerëve dhe lojtarëve, për shkak të kalendarit të ngjeshur. Trajneri Jurgen Klop, për shembull, e kritikoi ashpër.

Megjithatë, sipas ‘The Times’, ideja u pëlqen klubeve, madje shumë. Ata janë në përpjekje për të shtuar të ardhurat dhe po e vlerësojnë hipotezën për ta zgjeruar projektin përtej Premier Ligës, edhe në La Liga, Serinë A dhe Bundesligë. Ndeshjet e këtij super turneu, nuk është e qartë sa, mund të luhen përreth botës në verë, ose gjatë pushimit dimëror.

Nga nje ndeshje mes Interit dhe Juventusit. Gazeta Si, 30 shtator 2022

Për momentin është vetëm një ide, por një ide që po merr jetë gjithmonë e më shumë. E vërtetojnë edhe deklaratat e fundit të presidentit të Lega Serie A, Lorenco Kazini: "Një ide që meriton vëmendje. Do ta studiojmë projektin dhe klubet në asamble do të votojnë pro dhe kundër".

"Kujtoj me emocion ndeshjen mes Europës dhe pjesës tjetër të botës në gusht të 1982-shit. Xof, Tardeli, Rosi dhe Antonjoni luajtën më mirë se Platini dhe Ziko”, - ka shtuar Kazini.

Dhe për t’i bërë tifozët të ëndërrojnë ka menduar vetë ‘Times’, që ka hedhur hipotezën se kush mund të jenë sot formacionet më të mira të 4 kampionateve kryesore në Europë:

Premier Liga: Alison; Xhejms, Ruben Dias, Tiago Silva, Zinçenko; De Bryjne, Rajs, Rodri; Salah, Haland, Luis Diaz.

Seria A: Maignan; Di Lorenco, Shkriniar, Bremer, Spinacola; Brozoviç, Milinkoviç-Saviç; Kieza, Dibala, Leao; Osimhen.

La Liga: Kurtua; Kounde, Militao, Gimenez, Alaba; Modriç, Buskets, Pedri; Benzema, Levandovski, Vinicius.

Bundesliga: Somer; Frimpong, De Ligt, Gvardiol, Devis; Kimish, Belingam; Gnabri, Musiala, Mane; Nkunku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë