Gazeta Si - Opozita në kërkim të bashkimit të votave kundër socialistëve për zgjedhjet lokale të 14 majit ka lënë zonat e lira për minoritetin grek në Shqipëri, disa zona në jug të Shqipërisë. Çuditërisht zonë e lirë për PBDNJ-në e Vangjel Dules është lënë Himara. Pikërisht një ditë më parë kjo parti zyrtarizoi kandidatët për bashkitë Dropull, Finiq dhe Himarë.
Fredi Bejleri do të jetë kandidati i PBDNJ-së, por edhe i opozitës, i grupimit Berisha dhe Meta, për bashkinë e Himarës. Në bashkinë Finiq kandidatët do të jetë Leonidha Hristu, ndërsa për bashkinë e Dropullit do të jetë Anastas Maneka.

“Në këtë takim u diskutua për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku fokusi padyshim mbetet Himara. Dule dhe anëtarët e këtij Këshilli kanë premtuar angazhim maksimal për kandidatët e opozitës dhe kanë premtuar se të tria këto bashki do të fitohen prej opozitës”, - thuhet në njoftimin për media.
Pikërisht një muaj më parë, Himarën e vizitoi kryeministri grek Qirjakos Mitsotaqis. Ardhja e tij ishte pompoze, pasi preferoi të zbriste në tokën shqiptare me një helikopter ushtarak. Vizitën e parë ai e bëri pikërisht në Himarë, ndonëse nuk u prit nga autoritetet vendore atje dhe kjo pati një përplasje jo të vogël.
Himara ka qenë gjithmonë përplasja mes Shqipërisë dhe Greqisë, pasi Athina zyrtare e konsideron këtë zonë si një minoritet grek. Debatit për vizitën e kryeministrit grek një muaj më parë iu përfshi edhe vetë Berisha, i cili bëri të qartë se nuk ka dyshim se Himara është shqiptare dhe se nuk është minoritet.
“Së pari, kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik.
Askush më shumë se himariotët nuk janë larim në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar. Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë. Flasin edhe shqip, edhe greqisht”, - do të deklaronte Berisha.
Afro dy dekada më parë Himara do të kthehej në betejë e fortë nacionalizmi për zgjedhjet lokale, ku për herë të parë socialistët e demokratët bashkuan votat në balotazhin përballë kandidatin të PBDNJ-së, duke bërë që fitues të dalë kandidati socialist.
Sot Himara përbën dhe “Kalin e Trojës” për synimet e Athinës, e ndërsa vetë Berisha edhe pse mban lart flamurin e nacionalizmit për hir të votave po “dorëzohet”, duke ia lënë PBDNJ-së Himarën si zonë të lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.