Futboll

Hija e Lampard shtyn Sarrin drejt largimit nga Çelsi

Sërish humbje, sërish tensione dhe largimi i Mauricio Sarrit nga drejtimi i Çelsit është vetëm një hap larg. Tekniku Italian duket se ka ardhur në pikën kritike te klubi londinez dhe humbja mbrëmjen e shkuar në finalen e Carabao Cup kundër Mançester Sitit e vërtetoi këtë gjë më së miri. Por sikur të mos mjaftonte humbja dhe rezultatet e njëpasnjëshme negative, Sarri ka humbur edhe besimin e lojtarëve të tij, kundërshtimi portierit Kepa e tregon qartë krisjen mes trajnerit dhe futbollistëve të tij.

https://twitter.com/MacaronSe7en/status/1099758433564348416
Momenti kur portieri Kepa injoroi trajnerin e tij Mauricio Sarri pas finales se humbur

Këtë herë në finale, Çeslsi i Sarrit ia doli që të mos turpërohej nga Mançester Siti. Por humbja sërish peshon shumë dhe për më tepër që është një shans i humbur për ta mbyllur sezonin me një trofe sado i vogël qoftë ai. Tani më shumë se kurrë hija e Frenk Lampard është mbi kokën e Mauricio Sarrit. Tekniku italian sipas medieve angleze është në prag të shkarkimit nga drejtimi i “bluve të Londrës” dhe zëvendësuesi i tij do të jetë një legjendë e kësaj skuadre, si Frenk Lampard. Bosi rus i Çelsit, Roman Abramoviç është lodhur nga gjendja e ekipit të tij që përveç mungesës së rezultateve zhvillon edhe një lojë që nuk e argëton publikun e pranishëm në shkallët e stadiumeve. Numri një i “bluve” edhe pse nuk e ka parë në asnjë ndeshje nga stadiumi skuadrën e tij dëshiron të bëjë një ndryshim në stol, duke shpresuar që të paktën mos të ngelet jashtë Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Lampard është një njeri i shtëpisë për Çelsin, pasi aty ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës si futbollist, duke fituar gjithçka që më pas të shndërrohej në një legjende të këtij klubi. Ish-mesfushori aktualisht drejton ekipin e Derbit në ligën e dytë të futbollit anglez dhe deri më tani ka punuar mirë, duke marrë rezultate të kënaqshme. Më herët nga mediet angleze pas largimit të Sarrit ishte përfolur për uljen e Xhanfranko Zola, por tashmë më shumë kreditë ka marrë emri i Lampard. Duke parë suksesin që kanë pasur ish-futbollistët, Solari te Real Madrid dhe Solskjaer te Mançester Junajtid, Abramoviç shpreson që edhe Lampard do të bëjë të njëjtën gjë te klubi londinez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë