Futboll

Hidhet shorti i Superligës, java e parë rezervon super përballje

Është hedhur sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit shorti për edicionin e 81’ të Superligës Shqiptare.

Në goglat e tërhequra nga sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe shefi i sektorit te garave, Nurishmi, ndeshjet e javës së parë kanë rezultuar shumë interesante.

Kështu që në javën e parë do të ketë përballjen më të fortë, mes dy ekipeve që shikohen si pretendentet kryesore për të fituar kampionatin, Partizanit dhe Kukësit. Tirana e riformatuar e Ardian Memës do e nisë rrugën e saj drejt titullit kundër Luftëtarit me shumë probleme. Me gjirokastritët që sapo e kanë formuar grupin, Tirana duket ta ketë të lehtë startin, duke marrë para sysh merkaton e bujshme që ka bërë këtë verë dhe shpenzimet e mëdha.

Vllaznia e ringjitur gjen në javën e parë Laçin e Starovës, ndërsa Teuta e Blendi Shkëmbit përballet me të sapongjiturit e Bylisit. Për shkodranët ky edicion fillon me malore, pasi menjëherë pas Laçit do të udhëtojnë drejt Ballshit dhe më pas presin Tiranën në “Loro Boriçi”.

Një përballje shumë interesante do të jetë edhe ajo mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Të dyja ekipet me shumë probleme gjatë kësaj vere do të matin forcat dhe do të jetë edhe një provë për trajnerin Daja që rikthehet në pankinë pikërisht përballë ish-ekipit të tij të vjetshëm. Kjo ndeshje e parë mes këtyre dy ekipeve do të tregojë shumë për objektivat e të dyjave këtë edicion, pasi shpenzimet në merkato kanë qenë fare minimale dhe baza e ekipeve po formohet nga akademitë e qyteteve.

Sakaq derbi i parë për këtë edicion të Superiores është caktuar që të luhet më datë 28 shtator dhe Tirana do të jetë pritëse. Ky edicion i 81-të i Superligës Shqiptare do të fillojë më datë 24 gusht. FSHF me ndarjen e shortit ka hedhur edhe një herë tjetër poshtë të gjitha zërat që qarkullonin për ekipe të Superiores që mund të mos licencohen për shkak të mos plotësimit të kushteve.

Java e parë  e Superligës:

Tirana- Luftëtari

Teuta- Bylisi

Vllaznia- Laçi

Skëndërbeu-Flamurtari

Kukësi- Partizani

Shorti i fazës së parë të Superligës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë