Futboll

Hetimi për Luftëtarin, heshtje totale në FSHF dhe Gjirokastër

Asnjë reagim, sipas udhëzimeve të UEFA-s në shkresën e saj, ku pasi konfirmohej se Luftëtari po hetohet në lidhje me dy ndeshjet me Ventspils në Europa League, shkruhej se pala e përfshirë duhet të heshtë. Dyshimet për trukim janë të forta dhe ekipi gjirokastrit pritet të marrë një dënim të rëndë, ndoshta si Skënderbeu. Pjesëmarrja historike e Luftëtarit në kupat e Europës mund t’i lërë Luftëtarit një njollë të rëndë, që askush nuk do ta fshinte nga kujtesa.

Pas lajmit për hetimin nga UEFA, nga klubi gjirokastrit nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar. Zyrtarë të këtij klubi, të kontaktuar nga Gazeta Si, kanë pohuar se nuk do të ketë asnjë qëndrim për çështjen në fjalë. E njëjta gjë edhe në FSHF. Heshtje e pritshme, duke qenë se ky institucion e mbante të fshehur prej kohësh dokumentin e marrë nga UEFA për hetimin e Luftëtarit. Asnjë reagim qoftë edhe për sy e faqe, ose i tipit “po presim vendimin zyrtar”. Në faqen zyrtare të FSHF-së gjen lajme për grumbullimet e moshave në Durrës dhe asnjë qëndrim për një çështje kaq serioze si kjo e hetimit të një ekipi të Superiores për trukim të ndeshjeve në kompeticionet ndërkombëtare.

Nga ndeshja Ventspils-Luftëtari, 5-0

Si klubi gjirokastrit, ashtu edhe institucioni që drejton futbollin në vend, janë me shpatulla pas murit në këtë rast. Hetimi është konfirmuar zyrtarisht nga UEFA dhe tani pritet vendimi. Futbollin shqiptar e pret një tjetër goditje e rëndë, pas asaj të Skënderbeut. Me dy ekipe të përjashtuara nga kompeticionet europiane, klube në prag falimentimi dhe klube që nuk licencohen, sepse nuk plotësojnë kushtet, futbolli ynë duket më i mjeruar se kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë