Audiolajme

Hetimi i raportit të Dick Marty-t, Balla: Jo politik, por Basha të kërkojë falje

Hetimi i raportit të Dick Marty-t, Balla: Jo politik, por Basha të kërkojë falje

Partia Socialiste thotë se ngritja e Komisionit Hetimor parlamentar për të hetuar raportin e Dick Marty-t nuk ka asnjë prapavijë politike kundër Lulzim Bashës, por synon që të pastrojë emrin e Shqipërisë nga çdo dyshim që mund të ketë ende se janë kryer krime lufte.

Raporti i mundshëm i këtij Komisioni do të dorëzohet në Kuvend për miratim dhe më pas gjetjet do të adresohen në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Ne do të shprehemi në fund të këtij procesi dhe më pas i takon Asamblesë së KiE që të rivlerësojë vlerësimet e veta që lidhen me Shqipërinë. Ne kemi hulumtuar procedurat që ka KiE dhe mendojmë që do të gjejmë instrumentat e duhura që përsa i përket Shqipërisë këto çështje të qartësohen”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Balla e cilësoi si të vonuar këtë nismë, ndërsa u shpreh se përdorimi i kësaj çështjeje për qëllime politike është gjëja e fundit që i shkon atij dhe deputetëve të tjerë ndërmend.

“Gjëja e fundit që mund të më shkojë mua në mend, apo çdo kolegu në Kuvend është që ky Komision i Posaçëm…..(përdoret politikisht). Por, Basha dhe Berisha duhet të kërkojnë falje që kanë votuar atë raport kundër Shqipërisë në KiE. Basha për këtë çështje duhet të ndahet nga Berisha nëse ka këllqe për ta bërë këtë gjë. Ai votim është tradhti e rëndë kombëtare”, vijoi Balla.

Megjithatë, kreu i grupit parlamentar socialist nuk përjashtoi mundësinë që Lulzim Basha të thirret si dëshmitar në këtë Komision.

“Lulzim Basha ka transportuar si jurist një prej personave të përfshirë në hetim dhe duhet të qartësojë disa elementë që lidhen. Ajo që kam publikuar dhe përfshin lul bashën është fakt i bërë publik, ku një prej dëshmitarëve nga komuniteti i Krushës, zoti Milaim Bellanica, deklaron se ja ka dorëzuar kasetën përfaqësuesit të UNMIK me emër Lulzim Basha. Që Lul Basha ka punuar në zyrën e hetimeve të krimeve të UÇK-së kjo nuk ka ndonjë dyshim dhe me sa di unë në 2003, 2004 dhe 2005 nuk ka pas Covid dhe nuk e di pse në marrjen në pyetje të UÇK, Lulzim Basha mbante maskë”, shtoi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë