Gazeta Si - Shqiptaro-amerikani Agron Neza është paraqitur këtë të hënë në SPAK në funksion të hetimeve të çështjes “McGonigal”, ku akuzohet se i ka dhënë 225.000 dollarë ish-agjentit të FBI-së.
Neza është paraqitur prej orës 12:00 në SPAK për të dhënë sqarime në lidhje me një kallëzim të depozituar në prokurori nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.
Ish-zyrtari i lartë amerikan ka pranuar se kishte marrë 225,000 dollarë nga Agron Neza, i cili sipas dokumenteve në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.
McGonigal është dënuar me 50 muaj burg në lidhje me akuzat për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.
Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.
McGonigal ka pranuar gjithashtu se ishte takuar disa herë me kryeministrin Edi Rama, duke filluar nga shtatori 2017 në prani të Dorian Duçkës, i cili vazhdon të figurojë si "personi B" edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.
Neza përmendet në dosjen hetimore të zyrtarit të lartë amerikan dhe më herët ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me 225 mijë dollarët e përmendura nga hetuesit.
Vetë Neza ka thënë se paratë që i ka dhënë McGonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Rama.
Ai ka thënë se me kryeministrin Rama është njohur përmes ish-agjentit dhe se bashkë nuk kanë folur asnjëherë për çështje parash e biznesi.
Në takimin informal me gazetarët në fund të dhjetorit 2023, kreu i SPAK Altin Dumani duke iu përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve informoi se po vijonin hetimet në kuadër të kallëzimit penal që deputeti Gazment Bardhi kishte bërë në Prokurorinë e Posaçme dhe për të cilin ishte bërë dhe regjistrimi i procedimit penal.
Më 24 janar 2023 deputeti Gazment Bardhi depozitoi në SPAK kallëzimin për nisje të hetimeve ndaj Kryeministrit Rama për ato që ai i cilësoi si lidhje me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.
Më herët në Prourorinë e Posaçme është thirrur edhe Dorian Duçka, por nuk dihet me saktësi nëse ai u paraqit për të dëshmuar për këtë çështje apo për atë CEZ-DIA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.