Politike

Agron Neza shpëton Ramën nga akuzat: Jemi takuar, por s’kemi folur për biznes

Gazeta Si - Agron Neza, shqiptaro-amerikani i përfshirë në dosjen e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal, ka sqaruar qëndrimin e tij në lidhje me akuzat e ngritura nga opozita për lidhjen me kryeministrin Edi Rama.

I cilësuar nga mediat amerikane si Personi A, Neza thotë se e ka takuar kryeministrin Rama përmes zyrtarit amerikan.

Ai ka mohuar ta ketë njohur më parë dhe të ketë diskutuar me të për marrëdhënie biznesi.

Neza thekson se paratë për të cilat akuzohet se i ka dhënë Mcgonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Edi Rama.

LEXO EDHE:
- Lidhjet me Tiranën të ish-zyrtarit të FBI
- McGonigal deklaron pafajësi mbi akuzat për marrje parash dhe mosraportim të kontakteve me zyrtarë të huaj

Të njëjtin qëndrim mbajti një ditë më parë edhe kryeministri Edi Rama i pyetur nga mediat për këtë çështje.

Në fund të vitit 2017, sipas akt-akuzës, McGonigal ka marrë një total prej 225.000 dollarësh nga “Personi A” – fillimisht në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork dhe dy herët e tjera në shtëpinë e atij personi në Nju Xhërsi.

Sipas dosjes, McGonigal “i ka thënë ‘Personit A’ se ato para do të shpaguheshin”.

Reagimi i Agron Nezës

“Nuk kisha ndërmend të merresha me Sali Ram Berishën dhe as me deklaratat e tij, por po shoh që po e bën çorbë gjithë median dhe publikun shqiptar kudo që është, e në të njëjtën kohë po mundohet të hedhë baltë.

Unë, Agron Bajram Neza, i akuzuari nga Milaimi dhe Berisha, kam punuar në vitet 1991-1992 në Drejtorinë e Zbulimit Shqiptar, në sektorin e Kosovës duke dhënë kontributin tim për çështjen e Kosovës. Njerëzit që kanë punuar me mua, si në Shqipëri dhe në Kosovë në ato vite, e dinë.

Tani po kthehem te ngjarjet e këtyre ditëve, ku Sali Ram Berisha me çfarë flet, po më nxjerr që jam James Bondi shqiptar, që nuk paskam lënë gjë pa bërë.

Po sqaroj si Sali Berishën që për interesat e tij politike dhe personale është gati të shpifë mbi gjithçka dhe të shkojë edhe më tej shpifjes nëse mundet, ai ka rekorde të errëta në lëmin e shpifjes.

Po ashtu, po sqaroj dhe gazetarët, opinionistët, analistët dhe shqiptarët tanë të dashur kudo që janë dhe ky do të jetë reagimi im i fundit se:

Me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama jam prezantuar diku në vjeshtën e vitit 2017 nëpërmjet mikut tim Charles Mcgonigal, ish-Drejtor i Zyrës së Kundërspiunazhit të FBI-së për Nju Jorkun, në ndërtesën e Zyrës së Kryeministrit, takim që zgjati ndoshta më pak se dy minuta.

Pas këtij takimi, jam takuar dhe disa herë të tjera dhe në këto takime ka pasur edhe njerëz të tjerë. Nuk mund të them që Kryeministri i Shqipërisë është miku im, e as unë miku i tij përveçse një i njohur. Asnjëherë me kryeministrin Rama nuk kam biseduar çështje biznesi dhe as parash, e gjithashtu mund të them të njëjtën gjë dhe për stafin e tij, me të cilët mund të njihem, siç njoh dhe kam miq dhe të PD, PR, PSD, PL e të tjera parti në Shqipëri.

Përsa i përket problemit që Sali Ram Berisha po flet, duke shpifur se paratë që i kam dhënë mikut tim Charles McGonigal janë para të Kryeministrit Edi Rama apo njerëzve të tij, kjo kategorikisht nuk është e vërtetë.

Jam i bindur që kryeministri Rama, çështjen e dhënies së parave e ka mësuar nga shtypi në të njëjtën kohë që e ka mësuar dhe Sali Berisha dhe çdokush tjetër. Këtu përfundon çështja në lidhje me paratë që unë i kam dhënë Charles McGonigal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë