Ngjarje

Hetimet për atentatin në Vlorë, shënjestra ishte dënuar për një plagosje në Selenicë

Policia e Vlorës dyshon se shënjestra e breshërisë së kallashnikovit në atentatin e ndodhur pasditen e së shtunës në lagjen “Kushtrimi” të këtij qyteti, ka qenë 37-vjeçari Nikollaq Çepaj, i cili sapo ishte liruar nga burgu, pas vuajtjes së dënimit për një plagosje të ndodhur në Selenicë në maj të 2018-ës.

Mbrëmjen e së shtunës grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ka marrë në pyetje gjashtë persona, dëshmitarë okularë. Nga dëshmitë e grumbulluara prej tyre dhe nga rindërtimi i skenës së krimit, uniformat blu besojnë se 28-vjeçari Roland Çepaj, kunati i Nikollaq Çepajt, ka mbetur i plagosur rastësisht, pasi ka qenë pranë shënjestrës së autorëve.

Burime nga Policia e Vlorës deklarojnë se Nikollaq Çepaj është person me precedentë të theksuar kriminalë në të shkuarën, jo vetëm për plagosjen në Selenicë, por edhe në fushën e prodhimit dhe trafikimit të hashashit.

Gjendja e tij shëndetësore në spital paraqitet e rëndë, për shkak të plumbave që ka marrë, ku njëri prej tyre është në kokë, ndërsa 28-vjeçari Roland Çepaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga dëshmitë e mbledhura, policia beson se autorët kanë përdorur një automjet tip “Mercedes”, nga brenda të cilit kanë qëlluar 15 herë në drejtim të Nikollaq Çepajt. Ekspertët e policisë kanë marrë në analizë predhat e lëshura, ndërkohë që autorët nuk kanë lënë gëzhoja pas, pasi është qëlluar nga brenda automjetit.

Pak kohë pas atentatit, policia ka gjetur të djegur një automjet tip “Mercedes Benz” rreth 20 kilometra larg qytetit. Në bagazhin e makinës së djegur është gjetur edhe një armë tip Kallashnikov, që përforcon dyshimet e policisë së bëhet fjalë për automjetin dhe armën e përdorur nga autorët në sulmin në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë