Shendet

Heqja e dhjamit është operacioni më popullor, tejkalon zmadhimin e gjoksit

Liposuksioni apo heqja kirurgjikale e dhjamit, është një procedurë kirurgjikale për heqjen e dhjamit të tepërt të akumuluar, me vakum.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Kirurgjisë Estetike Plastike (ISAPS), liposuksioni ka kaluar zmadhimin e gjoksit si forma më popullore në botë e kirurgjisë estetike mes shqetësimeve në rritje për lidhjet e implanteve me kancerin.

Procedura e konturimit, e cila përdor thithjen për të hequr dhjamin e tepërt, përbënte 14.8 për qind të operacioneve estetike të kryera në mbarë botën, ndërsa shifra për zmadhimin e gjoksit ra në pak më shumë se 13 për qind.

Tendencat në ndryshim janë pjesë e një rritjeje globale të mjekësisë estetike, e cila pa mbi 30 milionë procedura kirurgjikale dhe jokirurgjikale të kryera në vitin 2021, një rritje prej 19.3 për qind nga viti i kaluar. Të dhënat, të publikuara të martën si pjesë e sondazhit të fundit vjetor të ISAPS, tregojnë se industria e kirurgjisë kozmetike jo vetëm që është rikuperuar nga dy vjet radhazi të rënies së lidhur me Covid-in por ajo është rritur shumë përtej niveleve para pandemisë.

Numri i përgjithshëm i procedurave kirurgjikale u rrit me mbi 33 për qind midis 2017 dhe 2021, ndërsa procedurat jokirurgjikale (më e popullarizuara prej të cilave është Botoxi) u rritën me më shumë se 54 për qind në të njëjtën periudhë.

Numri i zmadhimit të gjoksit gjithashtu u rrit me 0.5 për qind, gjatë katër viteve. Por redaktori i raportit, Dr. Gianluca Campiglio, vuri në dukje një rënie relative në krahasim me procedurat e tjera. Ai e lidhi këtë prirje me shqetësimin për BIA-ALCL, një formë e limfomës jo-Hodgkin, kancer i sistemit imunitar që i atribuohet implanteve.

Campiglio, i cili punon si kirurg plastik në Itali, theksoi gjithashtu një rritje në numrin e pacientëve që kërkojnë të heqin implantet e gjirit, një procedurë që u rrit me pothuajse 50 për qind globalisht në katër vitet e fundit.

Ndërkohë, Campiglio paralajmëroi rritjen e liposuksionit si pjesë e një rritjeje më të gjerë të interesit për konturimin e trupit. Më shumë se 1.9 milionë procedura liposuksioni u regjistruan në mbarë botën në vitin 2021, një rritje prej gati 25 për qind nga viti i mëparshëm.

Gjithashtu ndër procedurat më të njohura janë rinoplastika dhe abdominoplastika (ose operacionet e hundës dhe barkut). Kirurgjia e qepallave të syrit ishte procedura e tretë më e zakonshme në botë në vitin 2021 dhe më e popullarizuara tek meshkujt.

Raporti gjithashtu theksoi një "rritje të dukshme", mbi 30 për qind në përdorimin e acidit hialuronik, i cili zakonisht injektohet si mbushës i fytyrës.

Ashtu si në vitet e kaluara, SHBA kishte më shumë kirurgë estetikë në botë, me Brazilin dhe Japoninë që ishin në vendin e dytë dhe të tretë.

Turqia, Kolumbia, Meksika dhe Tajlanda u identifikuan ndërkohë si destinacionet më të njohura për pacientët që udhëtojnë jashtë shtetit për trajtime kozmetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë