Libra

Henrik S.G – Shkrimtari që (nuk) fshihej pas një pseudonimi

Shumë e dinin se emri me të cilin firmoste autorësinë e romanëve, ishte një nom de plume, një pseudonim që e mbante shkrimtarin në pozicionin e rehatshëm, për të folur vetëm dhe thjesht përmes veprës, pa dashur të shpjegojë, qartësojë apo tjerrë përtej faqeve të librit ata lexues, që mund të ishin nxitur qoftë edhe vetëm prej emrit. E megjithëse kjo e fundit, doli të ishte e vërtetë, e pohuar prej atij vetë, Henrik S.G nuk ishte në fakt një emër i zgjedhur arti, por ai i vërteti i shkrimtarit. Mbrëmjen e 19 dhjetorit, gjatë ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, do të merrte edhe zë edhe figurë. Henrik Spiro Gjoka, autor i pesë romaneve, u ngjit në skenën e ArTurbina, në Tiranë për të marrë çmimin “Vepra letrare shqiptare më e mirë e vitit”, për romanin e tij më të fundit “Sonatë për gruan e një tjetri”. “Unë nuk ju njihja. Mendoja se ishte pseudonim”, iu drejtua ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, autorit, i cili kishte udhëtuar nga Franca, ku jeton prej thuajse tridhjetë vitesh. E megjithëse, siç pohoi vetë ministrja u njoh me veprën e shkrimtarit vetëm një natë më herët, e cilësoi shkrimtarin “Një lloj Balzaku modern”. Romani, “Sonatë për gruan e një tjetri”, u zgjodh fitues për vitin 2017, mes pesë veprave të përzgjedhura nga juria si “Burri që më do mua”, nga Adriatike Lami, përmbledhja poetike nga Entela Tabaku, me titullin “Poemë e huaj” dhe romaneve “Anemona” të Kim Mehmetit dhe Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, nga Stefan Çapaliku. “E çmoj shumë këtë çmim”, u shpreh autori, ndërsa vlerësoi rolin e jurisë kryesuar nga shkrimtari dhe përkthyesi Parid Teferiçi dhe me anëtarë si gazetarja e kulturës Alma Mile, poetja Olimbi Velaj, kritiku Agim Baçi dhe gazetari Albert Gjoka.

“Mendoj se juria është një bashkësi individësh, ku roli është i vështirë, me përgjegjësi morale, nganjëherë me përgjegjësi jetike, në ato vende ku vendoset fati i individëve”, u shpreh autori fitues. Gjoka do të ndalej tek përgjegjësia e njerëzve të angazhuar në art. “Kushdo që angazhohet në art ka përgjegjësi të madhe, ngaqë edukon njerëzit. Disa prej nesh këtu, jemi breza të edukuar në art; pa artin e mirëfilltë do të ishim vegla pune, të regjimit të kaluar”.

Ministrja Kumbaro dhe shkritmari Henrik S.G


Për historinë e librit të tij, do të mjaftohej duke thënë se “është një roman për gruan e një tjetri”. Personazhi kryesor në romanin “Sonatë për gruan e një tjetri” është një psikiatër, i cili rrekte të vendosë rregull në jetën e pacientëve të tij, duke e gjetur veten të përfshirë në një histori pasioni, siç edhe titulli e zbulon, me gruan e një burri tjetër.

Chère madam De Laduset, ma chère Charlotte! Ju lutem, mos më gjykoni tani, jo tani me sedrën tuaj të lënduar! Lëreni kohën të rrjedhë dhe ndoshta, ndonjëherë, me shpirt të lehtësuar do të ndieni pak keqardhje për mua. Në degëzimet e pemës sime gjenealogjike, kam zbuluar se jo një herë burrat paskan qenë marrosur nga dashuria për gruan e një tjetri. Por askush prej tyre nuk qenka vetëvrarë, nuk paska qenë në kulturën e stërgjyshërve të mi Le Suicide!

Ky është romani i pestë i Henrik Gjokës, i njohur nga lexuesi si Henrik S.G , pas librave si “Gjuetia e Pëllumbave”, “Metamorfoca e një brezi të humbur” , “Charlotte” apo “Simfonia e fundit në ishullin Simon”. Autori u vendos në Francë, më 1991-shin, menjëherë pas daljes nga burgu, nën regjimin diktatorial në Shqipëri, me një fokus në brezin e humbur të pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe të sunduar për pesëdhjetë vjet nga diktatura. Siç është shprehur ai vetë së fundi, personazhet e tij dalin nga nëndheu. Është një prej dëshmitarëve realë që ka përjetuar ferrin e burgjeve komuniste. Rreth romanit “Gjuetia e Pëllumbave”, botuar më 2008-ën, nga shtëpia botuese “Ombra GVG”, shkrimtari do të shkruante, se e kishte shkruar një dekadë më herët, nga koha kur pa dritën e botimit. “Kushtet në të cilat u ngjiz kjo vepër dhe metamorfoza e shoqërisë së sotme shqiptare më shtynë që ta jetoj edhe njëherë të gjithin, episod për episod, fjalë për fjalë, romanin tim të parë “Gjuetia e pëllumbave”. Do të shkruante se e kishte ndjerë detyrim renditjen kronologjike të ngjarjeve, jo vetëm për brezin e tij, por edhe për brezat e rinj. “Sot këtë e shoh të panevojshëm, mjaft episode që përshkruajnë rrëzimin e diktaturës në Shqipëri më duken të dala boje, aq shumë ka vjellë media e lirë në dekadën e fundit.”

Shkrimtari Henrik S.G


Ndërsa, për romanin “Metamorfozat e një brezi të humbur”, Gjoka do të shkruante “Ndodhi që të jem lindur pikërisht atëherë, kur sapo pati nisur udhë gjysma e dytë e Shekullit të Njëzetë. Lindje fatale, në mes një shoqërie mizore. Im atë, fare i ri, me kërshërinë e Dantes trokiti në portat e Ferrit, ndonëse i ishte ofruar atij Parajsa Komuniste. Eci kështu ai nëpër dekada, së bashku me shokët e tij, herë shtigjesh të përflakur, herë të shkrumbuar, duke pritur ankthshëm mbërritjen time. Dhe unë s’vonova e beha një ditë. U pamë rrallë, tek rrokulliseshim poshtë, humnerave të pafund. Më pas, ne e humbëm njëri – tjetrin përgjithmonë. Sot, tek endem nëpër Paris, Londër e Nju Jork, shpirtrat e tyre të linçuar, më faniten përmes ndriçimit të rremë të Qytetërimit …” Emrin e të atit, Spiro Gjokës, ka vendosur ta përjetësojë në nistoret pas emrit Henrik, në veprat e tij letrare. Me Metamorfozën, do të vlerësohej me çmimin letrat “Petro Marko”. Pas botimeve nga “Ombra GVG”, të disa prej romaneve të tij dhe “Ideart” të romanit “Charlotte”, romani i ri “Sonatë për gruan e një tjetri”, vjen për lexuesin në logon e botimeve “Dudaj”.


Fituesit dhe Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë


Ministrja Kumbaro do të thoshte se përmes jurive të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, të cilat ndryshojnë çdo vit, janë zbuluar autorë shqiptarë që jetojnë dhe shkruajnë jashtë vendit, ashtu vit më parë shkrimtari Thanas Medi, i cili u vlerësua si vepra më e mirë e vitit 2013, me romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, i cili jeton në Athinë. “Pavarësisht se ku janë bëjnë vepra dhe, falë talentit, arrijnë të depërtojnë jurinë dhe, përmes jurisë si një kriter vlerësimi shkojnë tek lexuesi”, u shpreh ministrja e Kulturës.

Përkthyesja Aida Baro

Për veprën më të mirë letrare të përkthyer, u vlerësua përkthyesja Aida Baro për punën e saj me romanin “Armëpushimi” të Primo Levit, në logon e botimeve “Pegi”. “Një punë e bukur dhe e mundimshme, më së fundi e vlerësuar”, do të shprehej Baro, me një përvojë njëzetvjeçare në fushën e përkthimtarisë. Të tjera vepra në konkurrim ishin “Orlandi i çmendur” i Ludovico Ariostos, përkthyer nga Abedin Preza, “Trilogjia e binjakëve” nga Agota Kristof, përkthyesr nga Alket Çani, Bashkim Shehu me veprën “2666” të shkrimtarit spanjoll Roberto Bolaño dhe Erion Karabolli për “Largësi shpëtimi” të shkritmars Samanta Schweblin.


“Armëpushimi” i shkrimtarit italiano – hebre Primo Levi, është vijimi i romanit “A është, vallë, njeri…?”, njërit prej librave më të bukur të letërsisë europiane të lindur në kampet e shfarosjes.
Ai rrëfen një pelegrinazh në kufijtë e marrëzisë, por të mbushur me energji, përmes jetës që rifillon: një rrëfim i thukët, ku gëlon njëkohësisht ankthi dhe hareja. Udhëtimi i kthimit të Levit dhe shumë italianëve si ai, nga kampi i përqendrimit drejt atdheut zgjati për muaj me radhë duke i rënë kryq e tërthor Europës së shkatërruar nga lufta. Përgjatë gjithë këtij shtegtimi, nëpër Poloni, Rusinë e Bardhë, Ukrainë, Rumani dhe Hungari, hasen që nga situatat më trazuese e gazmore, te figurat dhe personazhet më të paharrueshme. Ky libër është si një ditar udhëtimi që zë fill nga mjegullnajat e Aushvicit, të sapoçliruar dhe ende cit me vdekje, e davaritet përmes peizazhesh të paimagjinueshme të Europës në armëpushim, të dalë nga makthi i luftës dhe i pushtimit nazist, ende jo e paralizuar nga ankthet e reja të Luftës së Ftohtë.

 

Më Shumë