Sociale

Helsinki: Bllokimi i shqiptarëve në kufi, antikushtetues

Komiteti Shqiptar i Helsinkit e vlerëson si “jonjerëzor dhe degradues e që cenon nenin 17 të Kushtetutës” bllokimin e emigrantëve shqiptarë në tokën neutrale mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe kërkon prej autoriteteve gjetja sa më parë e një zgjidhjeje.

Përmes një deklarate publike, KShH thotë se mungesa e kushteve minimale të jetesës për këta persona vendos në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre dhe i bën ata subjekte të lehta të trajtimeve jonjerëzore dhe degraduese.

Komiteti kërkon prej qeverisë shqiptare që të mos aplikojë qasje ndëshkuese për këtë kategori personash dhe vlerëson se kufizzimi i lëvijes së tyre nuk është proporcional me kushtet e tyre për të garantuar mbijetesën, pasi shumë prej emigrantëve vendosin që të kthehen në atdhe nga pamundësia për të përballuar jetesën e shtrenjtë në vendet e tjera.

KShH thotë se Kushtetuta detyron Qeverinë të mbrojë të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të Shqipërisë dhe veç kësaj, vlerëson se çdo kufizim i përkohshëm nuk duhet të cenojë të drejtat kushtetuese të përcaktuara në nenin 17. Komiteti mendon se ndalimi i shtetasve shqiptarë për të hyrë në vendin e tyre cenon thelbin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe është në tejkalim të kritereve të nenit 17 të Kushtetutës. KShH dënon gjithashtu edhe procedimin penal të këtyre shtetasve për kalim të paligjshëm të kufirit.

Dhjetra shtetas shqiptarë mbetën të bllokuar për orë dhe ditë me radhë kryesisht në Kakavijë dhe Kapshticë, pasi autoritetet shqiptare kanë marrë një urdhër për mbylljen totale të kufirit, si në hyrje, ashtu edhe në dalje.

Kryeministri Edi Rama tha ditën e hënë se në kufi nuk ka asnjë problem. Në Kakavijë, deklaroi ai, nuk ka asnjë person në pritje në zonën neutrale, ndërsa në Kapshticë tha se janë 19 automjete me shtetas shqiptarë që janë rezidentë në Greqi dhe që duan të hyjnë në Shqipëri pa arsye të forta.

Përmes një bashkëbisedimi me video me qytetarët në rrjetet sociale, Rama tha se kufiri do të hapet vetëm për raste emergjente, humane e shëndetësore dhe për askënd tjetër. Por, edhe për këtë kategori deklaroi se do të aplikohen masa të ashpra ndalimi lëvizjeje, duke i detyruar që të vetëkarantinohen me paratë e tyre në hotel për 14 ditë dhe pastaj mund të kthehen në shtëpi.

Megjithatë, pak më vonë nga kjo deklaratë, Kryeministri shkroi po në rrjetet sociale se “ishte keqinterpretuar nga mediat” dhe se kufiri do të jetë i mbyllur për të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë