Ngjarje

Helmohen sërish nga ushqimi dhjetëra kursantë të Akademisë së Sigurisë

Gazeta Si – Rreth 31 kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, vetëm pak javë pas incidentit të ngjashëm të regjistruar në institucion.

Sipas burimeve paraprake, mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00, kursantët kanë shfaqur simptoma të tilla si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Disa prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë trajtuar me serum.

Sipas të njëjtave burime, simptomat janë shfaqur pas konsumimit të vaktit të darkës, ku në menu kanë qenë salçiçe, fasule dhe kos.

Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë ushqimore në Akademinë e Sigurisë, pasi bëhet fjalë për rastin e dytë të dyshuar të helmimit brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Më 7 maj, 56 kursantë të kësaj akademie u paraqitën me simptoma të ngjashme, në një ngjarje që u hetua nga autoritetet përkatëse, ku dyshohet se u helmuan nga ushqimi, konkretisht nga makaronat me baktere mbi normë.

AKU ndërhyri duke ndërprerë aktivitetin e kompanisë Sori-Al dhe duke e gjobitur atë 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës mori në pyetje e dhe drejtorin e AKU, Ersid Hasanllari, si dhe drejtoren e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Flutura Polaci.

Në përfundim të procedurave të inspektimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “SORI-AL”, duke i lënë detyrë kryerjen e analizave të autokontrollit për produktin e gatshëm në ambientet e Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Prokuroria e Tiranës i ka dërguar shkresë dy herë AKU-së, për një shpjegim sa i takon fillimisht bllokimit e më pas zhbllokimit të aktivitetit të kompanisë private me të cilën Akademia e Sigurisë ka një kontratë.

Po ashtu kërkoi dokumentet që dëshmojnë për një kontroll të mëhershëm të ushqimit apo produkteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë