Ekspozite

Helidon Xhixha – Të gdhendësh dritën në Venecia

Pas dy shisheve gjigante që pluskonin me një mesazh të fortë mjedisor  në Kanalin e Madh të Venecias, verën e vitit të kaluar, artisti me origjinë shqiptare është rikthyer në ujërat e lagunës me një ajsberg. Por jo vetëm.

Kësaj here mesazhi i Helidon Xhixhës është rilindja. Të rilindësh gjithnjë e në çdo mënyrë është motoja artistike pas ekspozitës “Luce”, të çelur pak ditë më parë në Arsenale, të Venecias.

Janë shtatë veprat e ekspozuara të artistit durrsak, i formuar në Perëndim, që do të qëndrojnë të ekspozuara falas për publikun deri më 13 dhjetor.

“Publiku kërkon ta prekë si të ishte ujë i modeluar në çelik”, do të thoshte Xhixha duke iu referuar veprave të tij monumentale, të punuara në çelik inoks – materiali i tij i parapëlqyer-, ndërsa zbulonte se përse kishte zgjedhur sërish Venecian për ekspozitën e tij.

Nga e majta: Klodian Dedja, Helidon Xhixha, Michele Zuin

“Zgjodha Venecian n këtë periudhë sepse veprat e mia arrijnë të reflektojnë bukurinë e madhe të këtij qyteti”. Përdorimi i çelikut, sipas artistit është përfaqësimi i bashkëkohësisë, një material që nuk është kurrë statik.  “Ka nevojë për dritën  që e modelon  dhe e pasqyron, një vepër që ndryshon vazhdimisht”, është shprehur artisti, ndërsa veprat e tij edhe për shkak të dimensioneve, por edhe të mesazheve që përcjell, nuk bien në shpërfillje  të publikut.

Ai ka zgjedhur që në pjesën më të madhe të karrierës të punojë me inoksin, e lëmuar mirë  dhe të një cilësie të lartë. Duke shijuar natyrën pasqyruese që ka me dritën dhe tingullin, elementë që janë njësoj të rëndësishëm, në mos më shumë sesa vetë materiali i ngurtë. “Nuk gdhend materiale, unë i përdor materialet për të gdhendur dritën”, shprehej dikur artisti.

“Helidoni është një nga artistët bashkëkohorë që transformon formën. Edhe thuajse një gjest hyjnor, një arkitekturë  shpirtërore, një arkitekturë që krijon dhe shpërbën. Ky deformim na kujton që asgjë nuk është e pandryshueshme”, shprehet kuratori i ekspozitës, Klodian Dedja, duke premtuar se do të bëjë gjithçka që këto vepra të bëjnë xhiron e botës.

Artisti Helidon Xhixha para instalacionit të tij "Ajsbergu"

 

“Ripërtërihet kështu bashkëpunimi me këtë artist me famë ndërkombëtare, i famshëm për skulpturat e realizuara në çelik. Venecia është e hapur për të mbështetur të gjithë eventet që mund të kontribuojnë për të sjellë kulturë dhe për të mbështetur rilindjen e qytetit”, do të shprehej këshilltari bashkiak, Michele Zuin.

Ndërsa veprat e tij janë komente mbi katastrofat potenciale që na presin nga ndryshimi klimetarik i shkaktuar nga natyra ka qenë edhe mundësia që emri i Xhixhës të hyjë në elitën botërore të artit.

Helidon Xhixha u lind në Durrës më 1970-n, në një familje artistësh. Pasi frekuenton  Akademinë e Arteve në Tiranë, transferohet në Itali për të vijuar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës, në Milano, ku diplomohet më 1999-n. Një vit më herët, falë një burse studime, frekuenton Universitetin Kingston të Londrës, ku përsos teknikat e tij të gdhendjes, skulpturës dhe fotografisë.

Jeton dhe punon mes Milanos dhe Dubait, ndërsa veprat e tij  kanë pasur sukses tek publiku dhe janë vlerësuar pozitivisht nga kritika. Skulpturat e Xhixhës janë pajtuar në shkallë të gjerë, në instalacione publike në të gjithë botën, si edhe janë bërë pjesë të koleksionistëve privatë.

Eksperimenton edhe me përdorimin e materialeve të reja, mes tyre, çelikun, që do të bëhet më vonë materiali i privilegjuar rreth të cilit do të zhvillojë  kërkimin e tij artistik.Xhixha ka risjellë në Venecia veprën e tij “Ajsbergu”, të cilën e ekspozoi fillimisht në Bienalen e Venecias, më 2015-n.

Me përbindëshin e akullit, artisti kërkon t’u kujtojë dhe ndërgjegjësojë publikun rrezikun që i vjen ekuilibrave delikatë të planetit, për shkrirjen e akujve, siç vitin e kaluar bëri duke ngritur alarmin në nivelin artistik mbi ndotjen e deteve nga plastika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë