Sociale

Hebrenjtë rindërtojnë në Durrës shtëpinë e familjes që i shpëtoi gjatë Holokaustit

Shtëpia e Muhamet Biçakut në Durrës, shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit, do të rindërtohet nga një grup hebrenjsh në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për strehimin dhe shpëtimin e të paktën 20 familjeve hebreje gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore nga familja Biçaku.

Gjatë kësaj lufte, familja Biçaku strehoi dhe ushqeu në zonën e Qarrishtës në Librazhd 20 familje hebreje, duke i mbrojtur fillimisht nga pushtuesit italianë dhe më vonë nga gjermanët.

Nisma është ndërmarrë nga grupi “From the Depths”, një organizatë me bazë në Poloni që përkujton dhe nderon personat, apo pasaardhësit e personave që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jonny Daniels, themelues i këtij grupi thotë se ka grumbulluar rreth 45 mijë dollarë.

Muhamet Biçaku ka qenë vetëm 5 vjeç kur babai i tij strehoi dhe mbrojti familjet hebreje. Në vitin 1996, babai dhe vëllai i tij u nderuan nga shteti izraelit me titullin “Righteous Among the Nations”, titulli më i lartë që Izraeli jep për johebrenjtë që shpëtuan hebrenj gjatë Holokaustit.

“Ata u ofruan njerëzve tanë ndihmën më bazike në një kohë të vështirë, duke u shpëtuar jetën. Për ne është detyrim sot për t’u bashkuar dhe për t’u kthyer këtë borxh”, thotë Daniels.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë