Futboll

Hebaj firmos në Ukrainë, Shameti ikën nga Kukësi pas 6 vitesh

Nuk ka rikthim te Vllaznia për Rubin Hebajn. Sulmuesi 21-vjeçar ka firmosur në Ukrainë, me ekipin e Vorsklla Polltavës. Dy vitet e ardhshme ai do të jetë pjesë e kampionatit ukrainas me ekipin ku më parë janë aktivizuar dy futbollistët e Kombëtares, Armend Dallku dhe Debatik Curri. Një aventurë e re për Hebajn, i cili sezonin që shkoi u shpall kampion me Partizanin, ku erdhi si i huazuar nga sllovenët e Domzhales.

Hebaj pozon me fanellën e skuadrës së re në Ukrainë. Gazeta Si, 12 gusht 2019

Hebaj ka bërë sot edhe prezantimin me skuadrën e re, duke prerë shpresat e Vllaznisë për ta pasur sërish në përbërje lojtarin e ri që ka dalë nga akademia e saj. Sulmuesi u transferua në kampionatin slloven nga Vllaznia, por nuk pati hapësirat e nevojshme dhe u huazua te Partizani. Me fanellën e kuqe shkodrani la gjurmë për aq sa luajti, pasi nuk ishte titullar gjithmonë me trajnerin Gega. Ndeshja më e bukur e tij ishte derbi me Tiranën, ku Hebaj shënoi dy golat e fitores për Partizanin. Tani lojtari shpreson që të jetë protagonist në kampionatin ukrainas, ku më parë kanë luajtur edhe shumë futbollistë të tjerë shqiptarë si Bledi Shkëmbi, Tefik Osmani, Ervin Bulku, Kristi Vangjeli, Isli Hidi dhe Elis Bakaj etj. Pas 3 javësh kampionat, Vorsklla mban vendin e 9-të me 3 pikë, me një fitore dhe dy humbje.

Ylli Shameti me uniformën e Kukësit. Gazeta Si, 12 gusht 2019

Një lëvizje e befasishme ka ndodhur te Kukësi, ku kapiteni Ylli Shameti është larguar pas 6 vitesh. Mbrojtësi gjirokastrit nuk kishte rinovuar dhe sot ka zyrtarizuar largimin me një postim në rrjetet sociale, ku pas falënderimeve për të gjithë ata që e kishin mbështetur gjatë gjithë kohës së ka luajtur për Kukësin, linte gjithçka enigmatike për arsyet e këtij “divorci”, duke përdorur shprehjen: “Do ta tregojë koha”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë