Albin Kurti thotë se rezultati i zgjedhjeve do t’i mundësojnë Vetëvendosjes që të formojë e vetme Qeverinë. Por, shifrat kur janë numëruar rreth 98 për qind e votave nuk ja mundësojnë këtë.
Sipas përllogaritjeve, Vetëvendosje nuk do të sigurojë dot 61 mandatet që i duhen për të shmangur nevojën e koalicionit. Duke qenë se PDK dhe LDK e kanë përjashtuar që të dyja një koalicion të mundshëm me partinë e Albin Kurtit zgjidhja që qeveria e re të mos varet nga votat e deputetëve të minoriteteve mund të mbërrijë nga AAK.
Partia e Ramush Haradinajt ka deklaruar se “nuk paragjykon asnjë mundësi bashkëpunimi politik” me partitë e tjera, duke lënë të hapur derën për koalicion me Vetëvendosjen.
Por, koalicioni VV-AAK do të duhet që fillimisht të kapërcejë pengesën që lidhet me postin e Presidentit të ardhshëm. Vetëvendosje ka propozuar Vjosa Osmanin për këtë post, ndërsa Ramush Haradinaj e bazoi të gjithë fushatën tek ambicia që ka për të qenë pasuesi i Thaçit në këtë detyrë.
Gjithsesi, rezultati i deritanishëm sugjeron se Qeveria Kurti nuk do të jetë e varur nga votat e e 10 deputetëve serbë, që me Kushtetutë duhet të përfshihen në Qeveri, por veç AAK-së mund të sigurojë shumicën edhe përmes votave të 10 mandateve që i takojnë katër pakicave të tjera në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.