Kosova

Haradinaj do të apelojë vendimin e Speciales

Ekipi mbrojtës i Nasim Haradinajt konfirmoi për gazetarët se do të apelojë aktgjykimin dënues të shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj u dënua me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Edhe kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucatit, iu dha dënimi i njëjtë.

“Presim zvogëlimin e dënimit”, tha avokati i Haradinajt, Toby Cadman, duke shtuar se qëndrimi i mbrojtjes është që Haradinaj të dënohet aq kohë sa ka qëndruar në paraburgim.

Haradinaj dhe Gucati u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit të Hagë.

Avokati i Haradinajt tha se pret që trupi gjykues të shqyrtojë në mënyrë të pavarur kërkesën e tyre dhe ta ulin dënimin për klientin e tij.

Sipas ligjeve, palët kanë të drejtë që brenda 30 ditëve nga shqiptimi i vendimit dënues, të apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit në Hagë, që funksionon me ligje të Kosovës.

Gjatë shqiptimit të dënimit, gjykata argumentoi se Gucati dhe Haradinaj kishin kërcënuar dëshmitarët e mbrojtur dhe ata eventualë, duke publikuar informacione të tyre dhe dokumente të klasifikuara të Speciales.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë