Lajme

Hapja e negociatave, deputetët holandëze në Tiranë: Shqipëria nuk është gati

Holanda ka sjellë një mision faktmbledhës në vendin tonë pak kohë para vendimit të qeverive të vendeve të BE, për hapjen e negociatave. Shtatë deputetë nga partitë kryesore parlamentare në Holandë kanë shprehur skepticizëm dhe kanë thënë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Ata zhvilluan takime me Kryeministrin Rama, kreun e opozitës, Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Qeveria jonë është ekstremisht hezituese edhe më shumë se vendet e tjera në BE prandaj organizuam këtë mision faktmbledhës, por do të zhvillojmë një debat për ecurinë e zbatimit të pesë prioriteteve” – u shpreh njëri prej deputetëve holandezë, Kristian Demokrati Pieter Omtzigt.

I pyetur për çështjen “Tahiri”, deputeti holandez Pieter Omtzigt u shpreh në këtë mënyrë “I kemi vëzhguar këto raste, por do të ishte shumë e çuditshme nëse ne kërkojmë nga njëra anë që të kemi një gjyqësor të pavarur dhe në anën tjetër të flasim për një emër të veçantë që duhet të shkojë në burg. Është një mesazh që nuk do ta dëgjoni. Nuk mund të thuash që ai person duhet të shkojë në burg, pasi merr ekzakt të kundërtën e asaj që kërkohet, çka përkon me pavarësinë e gjyqësorit”.

Qeveritë e vendeve të BE pritet të marrin një vendim në qershor për hapjen e negociatave me vendin tonë, pasi Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë