Politike

Hapja e listave nuk kënaq opozitën parlamentare: Nuk votojmë paktin e 5 qershorit

Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore, miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit një ditë më parë nuk ka kënaqur opozitën parlamentare që ka votuar kundër këtë të mërkurë draftin PS-PD-LSI të 5 qershorit.

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim me 10 vota pro të mazhorancës dhe 5 kundër të opozitës parlamentare këtë draft. Opozita parlamentare këmbëngul tek depolitizimi i administratës zgjedhore. Fill pas kësaj vote, Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale.

https://twitter.com/ediramaal/status/1283340683374452737

Myslim Murrizi, që në këtë mbledhje të Komisionit të Ligjeve mori pjesë si i ftuar, akuzoi socialistët për lojë të dyfishtë dhe i paralajmëroi se brenda datës 30 korrik, kur duhet të jetë vendosur për fatin e të dyja nismave, si të opozitës parlamentare, ashtu edhe të opozitës jashtëparlamentare.

“Ju më kujtoni atë shprehjen, mirë me vjehrrën, mirë me burrin, llafi i mirë zbut dhe gurin! Por ka ardhur koha dhe deri më datë 30 duhet ta ndani, o me vjehrrën, o me burrin”, tha ai.

Socialistë thanë se propozimi është depozituar si nismë deputetësh për shkak të pamundësisë së opozitës jashtëparlamentare për të votuar. Por, deputetët e opozitës parlamentare akuzuan se Këshilli Politik, një organ ekstraligjor nuk mund t’i imponohet Kuvendit dhe kërkuan rrëzimin e draftit.

Ralf Gjoni dhe Myslim Murrizi vunë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtij organi, ndërsa thanë se marrëveshja e arritur më 5 qershor nuk adreson asnjë rekomandim të OSBE/ODIHR.

Ndërkohë, socialisti Damian Gjiknuri tha se hapja e listave me sistemin aktual proporcional rajonal mund të sjellë tensione, por fton kolegët deputetë që të mos kenë frikë nga kjo dhe ta miratojnë atë.

“Hapja e listave mund të sjellë tensione dhe probleme. Por, nuk duhet të kemi droje për këtë”, u shpreh ai.

Gjiknuri, që përfaqësoi socialistët në Këshillin Politik në bisedimet me PD dhe LSI foli në Komisionin e Ligjeve si bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore për të prezantuar ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën jashtëparlamentare.

Sipas Gjiknurit propozimet adresojnë që të gjithë shqetësimet e ngritura nga opozita jashtëparlamentare.

“Nuk arriti që të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE-së, pasi më shumë se standardi i ODHIR prevaloi interesi politik. Por, janë reflektuar të gjitha kërkesat e opozitës jashtëparlamentare”, deklaroi Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë