Futboll

Haland do shkonte te Junajtid për 3 mln euro, gafa me orarin e çoi në Austri

Gazeta Si - Gabime në merkato bëhen sa të duash. Blerje që dështojnë, por edhe lojtarë që shumë lehtë mund të ishin blerë. Nuk ka asnjë klub në botë që nuk ka pengje, një blerje të munguar që ndoshta mund të ndryshonte fatet e sezonit.

Dhe Mançesteri nuk bën përjashtim, edhe pse është një nga klubet më të mëdha në botë. Kushedi çfarë kanë menduar ‘Djajtë e kuq’, pasi kanë parë Erling Braut Haland të shënojë 14 gola në 10 ndeshje me Sitin. Patjetër kanë mallkaur ndryshimin e orës mes Anglisë dhe Norvegjisë.

Haland kur luante per Molden. Gazeta Si, 1 tetor 2022

Historia lidhet me kohën kur Solskjaer ishte te të rinjtë. Trajneri norvegjez dhe sulmuesi njihen mirë që nga koha kur ishin bashkë te Molde. Logjike që Junajtid të interesohej për djaloshin para se atë të blinte Salcburgu.

Dhe një dorë të mirë austriakëve ua dha vetë klubi anglez, duke gabuar orën e bisedës telefonike për blerjen e Haland. Një ngatërresë nga ndryshimi i orës nga një vend në tjetrin.

Ngjarja ka ndodhur në verën e 2018-ës, kur në ‘Old Trafford’ ishte trajner Zhoze Mourinjo. Solskjaer zuri vendin e dytë me Molden falë golave të Haland dhe ia këshilloi menjëherë ish-klubit të tij. Dhe me një çmim të mirë, 3 milionë euro.

Mançesteri e pëlqeu shumë sulmuesin dhe vendosi ta blinte. Por kur? Takimi u la për në orën 9 të mëngjesit. Problemi është se drejtuesit e Junajtid vendosën të telefononin në orën 9 të Greenwich, që për norvegjezët është ora 10.

Haland me fanellen e Sitit. Gazeta Si, 1 tetor 2022

Një vonesë fatale, sepse Molde, pasi nuk mori telefonatën e Junajtid, e shiti lojtarin te Salcburgu, duke fituar më shumë madje, 8 milionë euro. Pas një ore, kur Mançesteri telefonoi, nuk kishte kthim prapa. Një gabim i pabesueshëm. Mjaftonte një llogaritje më e mirë e orarit për të mos e parë Haland në anën tjetër të qytetit!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë