Rend dhe Ligj

Hakmarrja mes dy fiseve Bardhi-Reçi në Rrëshen, pista kryesore e hetimeve për ekzekutimin e Kristjan Markut. Si nisi saga e përplasjeve

Gazeta Si – Vrasja e 30-vjeçarit Kristjan Marku mbrëmjen e të hënës përgjatë autostradës Vlorë-Fier, duket se është vazhdimësi e sagës së hakmarrjes mes dy fiseve Bardhi dhe Reçi në Rrëshen të Mirditës.

Gjithçka ka nisur para dekadash, me dy familjet që vijojnë të marrin jetë në mënyrë të përgjakshme ndaj njëra-tjetrës.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, shkak për përplasjen mes fiseve është bërë prishja e pazareve të drogës në Itali. Në fakt, viktima njihej me emrin Kristi Bardhi dhe ai ishte bërë i njohur në dy raste viteve të fundit.

Në të parin u tha se u përfshi në një sherr me një pjesëtar të familjes Reçi në Rrëshen dhe në rastin tjetër, duke i ikur policisë, hodhi armën që mbante me vete në makinë.

Kristjan Marku është pikërisht nipi i Martin Bardhit, të ekzekutuar rreth 2 vjet më parë, për të cilin policia dhe asnjë prokurori nuk ka asnjë emër të dyshuari, ndonëse përplasjet mes dy fiseve janë të njohura tashmë brenda dhe jashtë vendit, ku kanë sjellë një numër të madh viktimash.

Në vitin 2023, Kristian Marku është skeduar nga policia si i dyshuar për një ngjarje të ndodhur në 26 mars të po këtij viti në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim Saimir Reçit.

Por, prokuroria nuk arriti të provojë përfshirjen e tij në këtë ngjarje dhe ai arriti të fitojë lirinë. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020.

Pista kryesore, hakmarrja

Më 27 shtator 2023, në qytetin e Rrëshenit ndodh një masakër. Nga një mjet fuoristradë hapet zjarr jashtë një lokali, ku në një tavolinë do të gjendej xhaxhai i Kristit, viktimës së djeshme, Martin Bardhi.

Në tavolinë me Bardhin ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët u plagosën, dy prej të cilëve rëndë, por arritën të mbijetonin, ndërsa Martini ndërroi jetë në tavolinën e lokalit të tij, ku kishte dalë të pinte kafenë e mëngjesit.

Policia gjeti makinën duke u djegur, mblodhi disa gëzhoja në vendin e ngjarjes dhe disa të tjera që u gjenden në mjetin e vrasësve, mori në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe nipin e Reçëve, Saimirin, i cili ishte konfliktuar, sipas tij rreth 6 muaj më parë me Martin Bardhin, Kristianin dhe djalin e Martinit.

Në fakt, për ngjarjen që denoncoi Reçi aso kohe, Martin Bardhi u arrestua, ndërsa Kristiani u shpall në kërkim.

Kristjani mundi t’i shmangej arrestimit, ndërsa Bardhi u ndalua dhe pas hetimeve ai u lirua nga burgu, për t’u ekzekutuar mëngjesin e 27 shtatorit.

Grupi hetimor nga policia dhe Prokuroria e Vlorës që kanë marrë në duar hetimet e atentatit të një ditë më parë janë kthyer pikërisht në hakmarrjen disa vjeçare mes familjeve Reçi e Bardhi për të kërkuar motivin dhe edhe autorët e pritës fatale që i mori jetën Kristianit.

Të shoqëruarit në polici dhe dinamika e ngjarjes

Të paktën 10 persona janë shoqëruar nga policia pas atentatit në afërsi të zonës së Kripës në Vlorë ndaj Kristjan Markut.

Ata janë kryesisht familjarë dhe miq të 30-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur, por dëshmia e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit.

Po ashtu, sipas burimeve, mes të shoqëruarve për vrasjen e Kristian Markut, kanë qenë edhe dy anëtarë të fisit Reçi, të cilët mohuan të kishin lidhje me ngjarjen.

Ndërkohë, Marku mësohet se ka marrë 3 plumba në trup, të cilët i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme, ndërsa policia ka gjetur 11 gëzhoja në vendngjarje.

Autorët dyshohen se i kanë zënë pritë, në momentin që 30-vjeçari ka kaluar mbi nën kalimin e Novoselës. Atentatorët, që dyshohen se mund të kenë qënë tre persona, kanë dalë nga nën kalimi dhe i janë afruar makinës tip “Wolksvagen Pasat” me të cilën udhëtonte 30-vjeçari.

Pasi janë afruar ne krahun e djathtë, kanë shtënë në drejtim të tij me më shumë se 13 herë me armë pistoletë apo automatik të vogël tip shars, ndërkohë që në trup kishte marrë tre plumba, dhe makina që udhëtonte ka ikur për inerci rreth 400 metra nga momenti që u qëllua.

Gjatë rrugës, makina që udhëtonte 30-vjeçari është përplasur disa herë me trafikndarësen deri sa ka ndalur.

Jo më shumë se 1 kilometër nga vendgjarja, është njoftuar se po digjej një makinë. Zjarrëfiksit kanë mbërritur dhe kanë shuar flakët të cilat e kishin shkrumbuar makinën e dyshuar të autorëve.

Policia ka marrë kamerat e sigurisë të një karburanti aty pranë, por dhe përgjatë autostradës Fier-Vlorë, ndërkohë që është ushtruar kontrroll në çdo makinë që hynte në Vlorë, por dhe fshatrat Novoselë apo Panaja.

Por si nisën përplasjet mes fiseve të Rrëshenit?

– Në vitin 1995, në Rreshen shënohet një vrasje. Më 1 maj të këtij viti ekzekutohet Ilir Reçi. Ai në atë kohë konsiderohej si një prej të fortëve të Rrëshenit, kushëriri i Kastriot Reçit. Në atë kohë për këtë ngjarje, u dyshua, Pjetër Bardhit vëllai i Martin Bardhit.

-Në vitin 2017 në radhët e fisit Reçi, vritet në Itali vëllai i Kastriot Recit, Gasper Reçi i cili dyshohej se merrej me veprimtari të paligjshme. Policia dyshonte se vrasja mund të ishte kryer si hakmarrje për vrasjen e Sajmir Jakut, një tjetër i vrarë në Rrëshen në vitin 2016. Nje tjëtër dyshim për këtë ekzekutim, për grupin hetimor ishte edhe vrasja, në vitin 2017 të Kreshnik Gjinit në Belgjikë. Fisi Reçi njihej për aturitetet për përplasjen e tyre me fisin Gjini.

-Ndërkohë me 7 Janar, të vitit 2020, në qendër të Rrëshenit u ekzekutua me një Snajper, Kastriot Reçi, 47 vjeç. Në atë kohë policia gjeti në tarracën e pallatit edhe snajperin e përdorur nga autori, por pa mundur të kapin qitësin.

-Teksa vitet kaluan, më 26 Mars të vitit 2023, bëhet një tjetër atentat ndaj fisit Reci, ku tentohet të ekzekutohet Saimir Reçi, nipi i Kastriot Reçit. Në atë kohë shkak, i këtij atentati u dyshuan motive banale mes Sajmir Recit dhe Enrik Bardhit, ku kishin pasur edhe një përplasje fizike në qytetin e Rrëshenit. Sipas hetimeve u dyshua se Enrik Bardhi bashkë me babanë e tij Martitnin, kanë marrë një pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim në makinës së Sajmir Reçit, i cili mundi të shpëtonte pasi automjeti ishte i blinduar. Për këtë ngjarje disa kohë më pas u arrestua 59-vjeçari Martin Bardhi, e ndërsa djali i tij dhe nipi i tij Kristi Bardhi u shpallën në kërkim. Ishte vetë Sajmir Reci që dëshmoi në polici për dyshimet se atentatin ja kanë bërë Kristi Bardhi, Martin Bardhi dhe Enrik Bardhi.

-Kjo ngjarje duket se u pasua me një tjetër vrasje. Ajo e ekzekutimit të Martin Bardhit më 26 shtator të vitit 2023 rreth 6 muaj, pas tentativës së vrasjes së Saimir Recit. Për këtë arsye, familja Reçi ishte e dyshuara kryesore për grupin hetimor. U shoqëruan disa pjesëtarë të familjes, edhe pse vetë Sajmir Reçi nuk u gjet ditën e ngjarjes. Ata mohuan përfshirjen në krim. Në tavolinë me Martin Bardhin, u plagosën edhe dy persona të tjerë Indrit Bardhi, Ilir Bardhoku dhe Olti Gjini.

-Martin Bardhi që u ekzekutuar në shtator të vitit 2023, është xhaxhai i Kristi Bardhi, viktimës së fundit që u eliminua në atentatin e 13 janarit në autostradën Fier Vlorë.

Vitet e fundit, qyteti i Rrëshenit është kthyer në një vatër të nxehtë përplasjesh mes fiseve. Madje shumë ngjarje kriminale, për hetuesit e policisë, kanë qenë zinxhir hakmarrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë