Kosova

Haga s’thotë nëse aktakuza ndaj Thaçit u konfirmua apo u rrëzua

Gjykata e Hagës nuk e ka njoftuar ende publikun nëse aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar apo hedhur poshtë.

Sot skadon afati prej gjashtë muajsh për gjykatësin e procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë, për të konfirmuar aktakuzën, plotësisht ose pjesërisht.

Megjithatë, sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të këtyre Dhomave, nëse një prokuror i specializuar paraqet arsye të vlefshme përpara se të konfirmohet aktakuza, gjyqtari mund të lëshojë urdhër të përkohshëm për moszbulimin e aktakuzës para publikut, “për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, ose për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër në procedurë, ose trazirat shoqërore”.

“Në çdo rast, aktakuza do t'i zbulohet publikut, me ndryshime të mundshme nëse është e nevojshme”, thuhet në rregullin 88 të kësaj Rregulloreje.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka paraqitur një aktakuzë kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave "të tjerë", emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.

Në aktakuzën prej dhjetë pikësh ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje.

“Viktimat e krimeve në aktakuzë janë qindra njerëz, identiteti i të cilëve është i njohur dhe në mesin e të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë”, është thënë në deklaratë.

Nëse gjykatësi i procedurës paraprake bindet se dyshimi i vërtetuar nga ana e prokurorit ka bazë, gjykatësi miraton aktakuzën. Nëse nuk bindet, aktakuza hidhet poshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë