Kombetarja

Hafizi kundër Rejës, Vata e ka edhe me futbollistët: Pa grintë

Dy figura të njohura të futbollit shqiptar, ish-trajneri i Kombëtares Astrit Hafizi dhe ish-kapiteni i saj, Rudi Vata, kanë mbajtur qëndrim mjaft kritik pas barazimit në Kazakistan. Hafizi i ka përqendruar kritikat te trajneri Edi Reja, kurse Vata, përveç italianit, ka mbajtur qëndrim edhe për sjelljen e futbollistëve në fushë.

Hafizi është ndalur te disa detaje teknik të ndeshjes për të evidentuar vendimet e gabuara të Rejës. “Është shumë shpejt të pretendojmë që Broja të shënonte. Kemi edhe shumë punë, nuk e di a e kupton trajneri Reja. Ai arriti vetëm atë që skuadra të mos dilte e humbur. Fituam me Bjellorusinë që ishte e fikur. Po vazhdojmë me të njëjtin stil, Reja jep mendime të holla, sporadike dhe të sipërfaqshme. Kur luan me 3 mbrojtës dhe nuk pëson gol, është një shtysë e mirë për ta fituar ndeshjen. Duhen ndryshime në sulmues, sepse kur luan me 3 mbrojtës, 2 lojtarët para mbrojtjes duhet të jenë ndërtues shumë të mirë. Në rastin tonë, Bare dhe Abrashi nuk janë në kondicionin e duhur.

Astrit Hafizi, ish-trajner i Kombëtares. Gazeta Si, 12 tetor 2020

Kallaku mund të luante pas 2 sulmuesve me cilësitë që ka. Sulmuesi i vetëm ishte Broja, kurse Manaj, nëse kthehet mbrapa, i bie forca fizike dhe nuk gjuan asnjëherë në portë. Në ndeshjen me Kazakistanin, kur u pa që kundërshtari ishte “i vdekur”, mund të luante një sulmues në krahun e djathtë, në vend te Veselit, për të dribluar”, - theksoi Astrit Hafizi, ish-trajner i Kombëtares, pas barazimit në Kazakistan. Ai mbetet skeptik për skemën 3-5-2 të zgjedhur nga trajneri Reja.

Vata nuk sheh entuziazëm e grintë
Kritik ka qenë edhe Rudi Vata, ish-kapiten i Kombëtares. Ndryshe nga Hafizi, Vata ka kritikuar jo vetëm trajnerin Reja, por edhe futbollistët. Sipas tij, ata nuk kanë grintën për t’i fituar ndeshjet. “Duhej të kishim 9 pikë dhe ekipe si Kazakistani duhet t’i dominojmë. Gjendja fizike nuk është optimale, ndërsa Broja ato raste i krijoi prej aftësive individuale, ai mbeti vetëm. Kallaku u lodh pas minutës së 65-të, i ra kreativiteti. Mendoj se humbën dy pikë të rëndësishme. Përderisa trajneri bën zëvendësime, do të thotë që nuk ka besim tek ata që ka në dispozicion.

Vata, duke takuar futbollistët e Kombëtares. Gazeta Si, 12 tetor 2020

Nuk shoh entuziazëm në Kombëtare, as te stoli dhe as te stafi. Tramexani ishte i rëndësishëm për De Biazin, tani nuk ka një lidhje kimike. Lojtarët e rinj kanë talent, por kanë pak eksperiencë. Kazakistani luajti prapa, priti vetëm ndonjë kundërsulm, kurse ne nuk krijuam presionin e duhur. Kemi djem të gjatë dhe të pashëm që luajnë në Serinë A, por nuk kanë grintën e Canës për ta fituar ndeshjen. Nuk kanë një shembull si të fitojnë.

Me Lituaninë dhe Kazakistanin të marrësh një pikë është humbje e madhe. Shqipëria ka pretendime të mëdha, futbollistët tanë duhet të mendojnë sikur ata janë Seria A dhe përballë kanë skuadra të Serisë C. Nuk vazhdohet me justifikime, duhet analizuar çfarë bëmë keq. Trajneri ynë analizon vetëm ekipin e tij, nuk e studion fare kundërshtarin. Trajneri i Lituanisë që mori 3 pikë ndaj nesh, e kishte analizuar Shqipërinë me detaje.

Skema 3-5-2 mund të jetë mirë për ne, por duhet të llogarisim edhe kundërshtarin. Kazakistanin nuk duhej ta linim të merrte frymë. Në 3 ndeshje kemi marrë 4 pikë dhe kemi shënuar 2 gola. Shumë pak dhe nuk kemi pse të paguajmë trajner të huaj. Edhe trajnerët e Superiores sonë nuk do të bënin keq se Reja, më mirë t’u japim mundësi trajnerëve shqiptarë”, - tha mes të tjerash ish-kapiteni i kuqezinjve, Rudi Vata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë