Ekonomi

Guvernatori Sejko: Privati, aktori kryesor i zhvillimit ekonomik. Shteti të ndihmojë sektorët prioritarë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në konferencën Ndërkombëtare të Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë, ku argumentoi se Shqipëria mund të nxitet më tej nga sektorit privat.

Në fjalën e tij Sejko theksoi se është e pamundur që vetëm një sektor të shtyjë ekonominë e vetme dhe se duhet bashkëpunim, por sektor primar është ai privat.

“Ky sektor është provuar në vazhdimësi të jetë më i vëmendshëm ndaj oportuniteteve të zhvillimit, më i shpejtë në reagim dhe më eficient në përdorimin e resurseve. Megjithatë, gjej po ashtu me vend të theksoj se sektori privat duhet të synojë një rifreskim konstant të filozofisë e praktikave të menaxhimit, për t’iu përshtatur në vazhdimësi sfidave të kohës dhe konkurrencës në rritje, si në plan kombëtar ashtu edhe rajonal e evropian” u shpreh Guvernatori.

Më tej ai theksoi, se njësoj i rëndësishëm është sektori financiar, pa të cilin është e vështirë konsulenca financiare, administrimi i rrezikut dhe sigurimi i fondeve.

Sejko i bëri thirrje qeverisë që të ofrojë stimuj për sektorë prioritarë, por të jenë afatshkurtër. Ekonomia e Shqipërisë sipas drejtuesit të BSH-së, duhet të ekuilibrohet midis specializimit dhe diversifikimit.

“Zhvillimi dhe ristrukturimi i ekonomisë shqiptare duhet të gjejnë një ekuilibër të drejtë midis specializimit dhe diversifikimit. Një specializim ekstrem në sektorë apo industri në të cilat vendi ka avantazhe konkurruese, nga natyra apo falë investimeve njerëzore, mund ofrojë një rrugë më të shpejtë zhvillimi, por – nga ana tjetër – ajo e bën një ekonomi më të ndjeshme ndaj goditjeve. Nga ana tjetër, një diversifikim ekstrem e bën një ekonomi më të qëndrueshme ndaj goditjeve specifike, por edhe më ineficiente dhe më pak të begatë. Gjetja dhe ruajtja e një ekuilibri të drejtë midis këtyre ekstremeve nuk është detyrë e lehtë. Vendet e mëdha mund ta kenë luksin e të pasurit të strukturave ekonomike më të diversifikuara e komplekse, por për vende të vogla e në zhvillim – si Shqipëria – kjo alternativë është shpesh e pamundur ose jorealiste.”, përfundoi Guvernatori Sejko në konferencën e FEUT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë