Sociale

Gushti i hapur për vaksinimin anti-covid për të gjithë qytetarët +18 vjeç

Muaji gusht do të jetë muaj i hapur për vaksinimin e qytetarëve +18 vjeç. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nga Qendra Shëndetësore nr.1 në Tiranë.
“Ne kemi vendosur që muaji gusht të jetë një muaj i hapur për të gjitha grup moshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar. Do të jetë një muaj që ne do ta konsiderojmë muaj sulmi, për të vaksinuar qytetarët e grup moshës +18 vjeç”, deklaroi Manastirliu.
Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se me ditët dhe javën e hapur të vaksinimit është rritur mbulesa vaksinale për doza të para dhe të dyta, kryesisht në Tiranë, Gjirokastër, Mirditë etj, por apeloi për vaksinim, duke e konsideruar atë një emergjencë.
“Mbulesa vaksinale po rritet, sidomos ajo që është e rëndësishme po rritet mbulesa me dy dozat. Pra jemi 24% e popullatës me dy doza. Kemi dhe rrethe që janë 60% e popullatës, si Gjirokastra, apo Mirdita që është 40% e popullatës. Kohët e fundit sidomos me javën e hapur të vaksinimit niveli i mbulesës vaksinale është rritur ndjeshëm. Vaksinimi është një urgjencë, sepse virusi është tepër i transmetueshëm dhe tepër ngjitës, dhe nuk pret. Koha nuk pret. Studentët të cilët do të futen në auditore, mund të bëhen përçues të infeksionit, në grupe të pa vaksinuara. Pra vaksinimi, i studentëve, i mësuesve, vaksinimi i të moshuarve të cilët mund të bëjnë forma të rënda apo vdekje për fat të keq siç ndodhi edhe kohët e fundit, është një element tepër i rëndësishëm”, tha Bino.
Në njoftim thuhet gjithashtu se vaksinimi masiv po vijon nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, në pikat e përqendruara te vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore. Prej fillimit të këtij procesi janë kryer në total 1,168,308 doza të vaksinës ndaj COVID-19 prej tyre 512,625 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë