Shkencë

Gurët e gjallë të Rumanisë: Rriten, marrin frymë dhe riprodhohen 

Natyra na ofron fenomene gjithnjë e më të habitshëm rreth të cilëve, në më të shumtën e rasteve, ende nuk kemi një shpjegim. Në Rumani, për shembull, gjenden të çuditshmit Trovanti, që mund të konsiderohen gurë të thjeshtë, nëse nuk do të qe për faktin se rriten, marrin frymë dhe lëvizin. Formimet e çuditshme janë vërejtur në qytezën e Kostestit dhe, qysh se janë zbuluar, prej disa dekadash, kanë shkaktuar habi dhe admirim tek turistët.

Banorët i kanë emërtuar si “Trovanti”, që në rumanisht do të thotë “gurë që rriten”. Kur krahasohen me gurët normale, Trovantët nuk paraqesin shumë dallime fizike. Por, përtej karakteristikave të pazakonta që praktikisht janë “gurë të gjallë”, nuk gjenden në anë të tjera të botës, përveçse në Rumani dhe Rusi. Kur shkencëtarët vendosën të hapin gurët, vunë re brenda tyre rrathë të ngjashëm me ato të pemëve e në këtë mënyrë arritën të përcaktojnë moshën e tyre, prej 6 milionë vitesh.

 Ndërkohë, për të njëjtin motiv, kanë dalë nën përfundimin se ato mund të konsiderohen një lloj jete inorganike. Besohet se janë formuar për shkak të një aktiviteti të jashtëzakonshëm sizmik në rajon. Përmasat e tyre variojnë nga disa centimetra deri në 10 metra lartësi, ndërsa veçantia e tyre qëndron në faktin se janë të aftë të “riprodhohen”.

Falë efektit të ujit, shtresa e jashtme e gurit zë lagështi e ndërsa uji depërton brenda tij, krijon  kripëra minerale. Me t’u njomur, bymehen duke ushtuar presion mbi sipërfaqen, që nis të zgjerohet,  duke krijuar ndjesinë se guri është rritur. Ndonjëherë, rritja shkakton thyerjen e gurit, duke çuar në krijimin e një të riu.

Sa i takon lëvizjes, ka raste të gurëve që kanë lëvizur rreth 2.5 milimetra, në javë. Specialistët tregojnë se ky fenomen vjen prej faktit se, kur variojnë në përmasa, anohen sa nga një anë në tjetrën, duke prodhuar një shkëputje të lehtë. Gjithashtu ka nga ata që thonë se gurët marrin frymë në një nivel praktikisht të paperceptueshëm, që janë ndjerë nga pajisjet e një ndjeshmërie tejet të lartë për matjen e rrahjeve.

Trovantët janë të përbërë prej guri ranor, me fjalë të tjera rërë prej shtresash të bashkuara nga një çimento karbonati, formuar falë veprimtarisë së ujit. Vendasit që kanë hapur gurët besojnë se ato posedojnë fuqi magjike. Pasi i ka prekur,  njeriu mund të ndiejë forcën e energjisë së tyre. Aktualisht, të gjithë gurët janë nën mbrojtjen e

 UNESCO-s, pasi janë shpallur Trashëgimi e Njerëzimit.

* Merelyn Cerqueira/ Jornal Ciência


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë