Romeo Gurakuqit nuk iu desh kohë e gjatë që të merrte një njoftim nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), se dy kartelat në shifra të paraqitura nga ish-Presidenti Bujar Nishani në adresë të tij, nuk kishin lidhje me emrin dhe as me familjen e tij.
“E gjithë mjegulla e hedhur në opinionin publik kundër personit tim dhe njerëzve të familjes sime nga ish - presidenti i Republikës dhe simahorët e prapësive të tij përbën një shpifje të mirëfilltë, një përpjekje për të më dëmtuar imazhin, shantazh kundër personit tim.
Rasti në fjalë është flagrant dhe përbën skandal të paprecedent në jetën publike të Shqipërisë së 30 viteve të fundit, që nuk mund të kalohet lehtë, jo vetëm nga unë, por shpresoj as nga organet e drejtësisë dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Romeo Gurakuqi, duke bërë publike edhe dy dokumentet nga Autoriteti i dosjeve.
“Nga individi në fjalë, ish -president i Republikës, janë përdorur dy numra kartelash, emrat e dy oficerëve operative dhe dy pseudonime informatorësh të ish -Sigurimit të Shtetit, të cilët identifikohen lehtë në Berat dhe Lushnjë. E gjithë kjo maskaradë është stisur për të goditur një deputet të PDSH, familjen e tij, për të më frikësuar, për të mbytur fjalën e lirë dhe arsyetuar mbrapshtitë e goditjes së deputetëve opozitare ne bllok.
Pyetja ime është: Kush është ky individ, që guxon të kryejë një vepër të tillë kaq të rëndë kundër personit, një natë para Krishtlindjeve?
Është ish- presidenti i vendit dhe ish-ministri i brendshëm, i cili pasi rrëfen si pa gja të keq, se në detyrën që ka pasur ka shkelur disa ligje, godet politikisht duke shpifur paturpësisht një përfaqësues të lartë të Opozitës shqiptare, drejtuesin e përfaqësisë demokrate të Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë, një nga anëtaret e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Shqipërisë”, komenton Gurakuqi.
Për arsyet sa më sipër, Romeo Gurakuqi ka paditur për shpifje ish-presidentin Bujar Nishani.
Gjithcka nisi nga spostimi i Gurakuqit në listën zyrtare të kandidatëve për deputet nga Komisioni “Ruli” pjesë e së cilës ishte edhe Bujar Nishani. Gurakuqi reagoi ashpër ndaj komisionit, shpotiti edhe Nishanin por pa e cituar me emër ndërsa ky i fundit reagoi në Facebook duke u publikuar Gurakuqit dy dosje, që sipas tij, tregonin se ai dhe familja e tij kishin qenë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.