Futboll

Grusht i hekurt ndaj racizmit, dyfishim pezullimi dhe humbje në tavolinë

Mjaft episodeve të racizmit në botën e futbollit! FIFA ka vendosur të ndëshkojë ashpër sulmet diskriminuese në stadiume. Në kodin e ri të disiplinës, që do të nisë të aplikohet që nga e hëna e ardhshme, do të përdorë grushtin e hekurt ndaj racizmit. Dhjetë ndeshje pezullim do të jetë minimumi i dënimit për ata futbollistë, të cilët do të shpallen fajtorë për sjellje diskriminuese. Ky është një dyfishim i dënimit për të tilla raste. Po ashtu, është menduar edhe për humbjen në tavolinë të skuadrës, tifozët e së cilës bëhen protagonistë të episodeve të diskriminimit.

“Nëse një ndeshje konsiderohet e përfunduar nga arbitri, për shkak të sjelljeve raciste apo diskriminuese, ajo do të vlerësohet e humbur”, - shkruhet në rregulloren e re të disiplinës. Këto masa janë parashikuar në kodin që do të aplikohet vetëm në ndeshjet zyrtare të FIFA-s, duke përfshirë edhe kualifikueset e Botërorit 2022. Pikat e reja të rregullores kanë të bëjnë me rastet e sulmeve për “ngjyrën e lëkurës, origjinën etnike, gjeografike apo sociale, orientimin seksual, aftësitë e kufizuara, gjuhën, besimin, opinionet politike dhe çdo status tjetër”.

Rahim Stirling, shpesh viktimë e racizmit

E veçantë është masa, që parashikon humbjen në tavolinë për një skuadër. Ajo do të aplikohet vetëm pasi arbitri i ndeshjes të ketë ndjekur të ashtuquajturën “procedura në tri faza”: njoftimin publik të tifozëve për të ndalur sjelljen e gabuar, ndërprerjen e ndeshjes për sa kohë situata është jashtë kontrollit dhe në fund mbylljen e ndeshjes. Vitet e fundit ka pasur shumë episode të shëmtuara racizmi. Rastet më të njohura janë ato ndaj mbrojtësit të Napolit, Kalidu Kulibali, i sulmuar nga ultrasit e Interit, si dhe sulmuesit të Mançester Sitit, Rahim Stirling.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë