Politike

Grupimi ‘Alibeaj’ cakton tjetër kandidat për zgjedhjet e 14 majit

Gazeta Si - Zgjedhjet lokale të 14 majit po faktojnë edhe një herë se e djathta do të jetë e përçarë dhe do të konkurrojë me dy kandidatë përballë së majtës. Grupimi “Alibeaj” bëri publik një tjetër kandidat për bashkinë e Dimalot (ish Ura Vajgurore).

Ai është Dritan Sula, një sipërmarrës. “Dritan Sula, me kandidimin e tij për bashkinë Dimal synon që të jetë në shërbim të bashkëqytetarëve të vet, duke ofruar një projekt konkret, për të rikthyer Bashkinë te qytetarët, të cilët gjatë qeverisjes së Rilindjes janë nëpërkëmbur e lënë në harresë nga bashkia”, - thuhet në njoftimin për shtyp.

Disa ditë më parë, ky grupim bëri të ditur se kishte përzgjedhur edhe dy kandidatët për Vaun e Dejës dhe Patosin. Arsimtarja Pranvera Rizai do të jetë kandidatja e PD për bashkinë e Patosit, ndërsa Klomentina Drini është kandidatja për Vaun e Dejës.

Mes grupimit Berisha dhe Alibeaj ka një përplasje sa i përket edhe çështjes së komisionerëve të KZAZ-ve dhe KQV-ve. Në KQZ kanë mbërritur dy palë lista nga të dyja grupimet, ndërsa çështja për statutin e vulën ende ka mbetur pezull në Gjykatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë