Kosova

Grupi Ndërkombëtar i Krizave: 3 opsione për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka hartuar sot një raport duke për dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar se ka tre mundësi për arritjen e një kompromisi të mundshëm. Sipas këtij grupi zgjidhjet  e vetme janë ose njohja e Kosovës nga Serbia, ose dhënia autonomisë për serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Serbi ose shkëmbimi i territoreve.

Në raportin e titulluar “Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi” të publikuar të hënën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se pavarësisht se Kosova dhe Serbia janë në bisedime dhe janë pajtuar për shumë çështje, edhe kanë mospajtime për çështjen kryesore: Pavarësinë e Kosovës.

Autori kryesor i këtij raporti, Marko Prellec, thotë se do të duhen të bëhen një sërë ndryshimesh, që procesi i dialogut të ecë drejt një marrëveshjeje përfundimtare, që sipas tij, duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë.

“Dua të theksoj dy gjëra, të cilat janë në raport: dialogu është në vend, nuk po lëviz dhe ndryshime të mëdha janë të nevojshme që ky proces të ecë drejt përfundimit me një marrëdhënie pozitive bazuar në njohje të ndërsjellë; dhe dy, kjo gjë nuk pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt dhe ne duhet të punojmë në përmirësimin e pozicionit të Kosovës, edhe nëse ka mungesë të ndonjë përparimi në dialog”, tha ai.

Sipas Prellec, duhet të qartësohet se dialogu nuk duhet të mjaftohet vetëm me njohje, pasi sipas tij, ky proces "duhet të ofrojë një kornizë për të dyja vendet që ta trajtojnë njëra-tjetrën pozitivisht ose të paktën të mos e bllokojnë njëra-tjetrën". Ai shton se Kosova duhet të ketë një qeveri e president të ri, por edhe një strategji negociuese, për bisedimet me Serbinë.

"Prishtina dhe Beogradi duhet ta njoftojnë publikun se cilat janë zgjidhjet reale; deri më tani shumica e njerëzve kanë dëgjuar se pala e tyre thjesht do të fitojë", thotë Prellec.

Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të krizave një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet nëse Prishtina dhe Beogradi zyrtar ndryshojnë qasjen konfrontuese. “Kushtetuta e Serbisë kërkon që çdo marrëveshje që i jep pavarësinë Kosovës duhet të miratohet përmes një referendumi, por elita politike nuk ka bërë asgjë që të përgatisë votuesit për kompromiset që duhen të bëhen që të arrihet marrëveshja. Kosova nuk ka kërkesa të tilla kushtetuese, por udhëheqësit e saj mund të vendosin që ta vënë në votim marrëveshjen për hir të legjitimitetit dhe do të duhej të përgatisnin publikun kosovar për kompromisit që duhen bërë për të arritur marrëveshjen”, thuhet në raport.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se nëse Serbia njeh pavarësinë Kosovës, atëherë kjo me gjasë mund të përfshijë një infuzion të ndihmës ndërkombëtare, autonomi më të madhe për serbët e Kosovës apo edhe shkëmbim territoresh.

Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në ndërmjetësimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Më 2018, në publik është shfaqur ideja për ndryshimin e kufijve, si një zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo ide ka nxitur reagime për dhe kundër në Prishtinë dhe Beograd, por edhe në mesin e komunitetit ndërkombëtar.

Por, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se Bashkimi Europian ndërmjetësuesi i procesit të dialogut politik, pavarësisht shqetësimeve të legjitimitetit nuk duhet ta përjashtojë asnjë zgjidhje që është në përputhje me të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar.

Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave ka tri opsione kryesore se si do të mund të dukej një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një mundësi do të ishte që Serbisë t’i jepej një mbështetje për zhvillim nga donatorët dhe përshpejtimi i rrugës për anëtarësim për si një çmim për njohjen e Kosovës. E dyta, do të ishte këmbimi i njohjes nga Serbia për krijimin e rajoneve autonome të serbëve në Kosovës dhe për shqiptarët që jetojnë në Serbi dhe opsioni i tretë, do të ishte rikthimi i tezës për shkëmbim territoresh, që ishte elementi kyç i draft-marrëveshjes së vitit 2018.

Për opsionin e parë, ky grup thotë se duke pasur parasysh dinamikat e brendshme, thjesht mund të jetë e pamundshme që BE të premtojë përshpejtim të procesit të anëtarësimit. Në mes të këtyre opsioneve, në raport thuhet se opsioni i autonomisë duhet si “zgjidhje më e mirë”.

“Veçanërisht, liderët e Kosovës duket se e kundërshtojnë këtë, ndoshta sepse shqetësohen se kjo mund të çojë në një qeverisje sklerotike që ata e kanë parë në Bosnje e Hercegovinë, ku shumica e vendimeve kërkojnë që të votohen nga dy nga tre entitetet të votojnë për”, thuhet në raport.

Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave për këtë opsion duhet të ketë mbështetje të publikut, andaj BE-ja dhe SHBA-ja, kanë një rol në këtë përpjekje.

“BE-ja duhet të vendosë nëse do të ndryshojë pozicionin e saj të përbashkët, në mënyrë që të përcaktojë në mënyrë të qartë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare bazuar në njohjen reciproke (diçka që pesë shtetet mosnjohëse të BE-se e kanë kundërshtuar deri më tani) dhe të sqarojë se si ndërmjetësuese nuk do të përjashtojë mundësinë që të bisedohet edhe për autonominë apo mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Ndërkaq SHBA-ja duhet të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar një strategji negociuese, bazuar në atë që njohja është e mundur, por kërkon koncesione”, thotë ky grup.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave paralajmëron se si hap i fundit, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po ashtu duhet të përgatiten për mundësinë që dialogu të përfundojë pa asnjë zgjidhje.

“Nën këto rrethana, strategjia më e mirë do të ishte që të shikohen mundësitë që do t’i lejonin Kosovës të vazhdojë integrimin në institucionet ndërkombëtare, të zhvillojë ekonominë si dhe të forcojë marrëdhëniet e sigurisë dhe politike me pjesën tjetër të botës. Po ashtu, ata mund të ridrejtojnë investimet dhe ndihmën e tyre dedikuar Ballkanit drejt Prishtinës zyrtare. Kjo gjë po ashtu do të shërbente si përkujtues për Beogradin se nuk ka veto të përhershme për të ardhmen e Kosovës”, thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Në raportin “Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi” po ashtu theksohet ndikimi që vazhdon të ketë Serbia në komunitetin serb në Kosovë. Aty theksohet se zonat e banuara me shumicë serbe, veçanërisht katër komunat në veri të Kosovës, të cilat mbesin pjesërisht të integruara dhe paraqesin “pikë e mundshme për dhunë”. Në raport thuhet se serbët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës dhe ata që emërohen në poste qeveritare, hapur ndjekin urdhrat që marrin nga Beogradi zyrtar.

Dialogu politik Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ky dialog, është thënë se ka për synim normalizimin e raporteve. Për 20 muaj – që prej fundit të vitit 2018 – bisedimet u ndërprenë për shkak se Prishtina zyrtare vendosi taksë për produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Me heqjen e taksës dhe masave të reciprocitetit, dialogu rinisi në korrik të vitit 2020. Por, palët shprehën mospajtime për një çështje: Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kosova thotë se ky asociacion do të krijohet në bazë të marrëveshjeve paraprake të arritura në kuadër të dialogut të Brukselit, por Serbia insiston që ai të ketë kompetenca ekzekutive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë