Bota

Gruaja e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez nën hetim, akuzohet për korrupsion

Gazeta Si - Sfida politike në Spanjë luftohet edhe me “scoop”-e gazetareske dhe hetime gjyqësore. Kundër partnerëve të liderëve.

Pas zbulimit nga gazeta e majtë “El País” e pranimit të fajit për mashtrim tatimor nga partneri i "guvernatores" shumë të fuqishme popullore të Madridit, Isabel Díaz Ayuso - burri thuhet se po negocion një dënim prej 8 muajsh në burg dhe 520 mijë euro gjobë – faqja e djathtë “El Confidencial”, zbuloi këtë të mërkurë se është hapur një hetim penal kundër gruas së kryeministrit socialist Pedro Sánchez.

Sipas "El Confidencial", ajo akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit, pas një denoncimi nga një sindikatë ultra e djathtë funksionarësh publik, të quajtur pa shumë origjinalitet “Manos Limpias» (Duar të Pastra).

Gjykatësi i Madridit, Juan Carlos Peinados, hapi procedimin penal paraprak kundër Begona Gómez për të hetuar marrëdhëniet e saj me disa kompani private që merrnin fonde dhe kontrata publike nga qeveria e bashkëshortit të saj.

Kur u pyet për këtë gjatë seancës parlamentare të mëngjesit të kësaj të mërkurë, Sanchez u përgjigj: "Pavarësisht ditëve të tilla, unë ende besoj në drejtësi".

Burime nga “Moncloa”, zyra e qeverisë spanjolle, akuzojnë Partinë Popullore dhe Vox se "kanë kaluar një kufi të pakaluar më parë në politikën spanjolle", duke publikuar lajmin pa u njoftuar më parë i interesuari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë