Ngjarje

Gripi i shpendëve, Shqipëria ndalon importin nga 14 vende europiane dhe Izraeli

Shqipëria ka ndaluar importin e shpendëve dhe të nënprodukteve të tyre, si mish e vezë nga një mori shtetesh europiane pas alarmit të lëshuar nga institucionet përkatëse të tyre për përhapje në nivele shqetësuese të gripit të shpendëve.

Vendimi është marrë nga Ministria e Bujqësisë dhe ai prek shtete si Polonia, Sllovakia, Hungaria, Gjermania, Ukraina, Izraeli, Çekia, Rumania, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Franca, Holanda, Lituania dhe Italia.

Nga vendet e lartpërmendura, urdhri i firmosur nga ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi ndalon importin, apo përdorimin e territorit shqiptar si tranzit të shpendëve të gjalla shtëpiake, apo të egra, zogjve 24 orësh, shpendëve dekorativë, materialit biologjik të shpendëve, vezët e mishin e tyre dhe nënproduktet e tjera të tyre.

Urdhri argumentohet me rritjen e shqetësimit nga gripi i shpendëve në këto vende, ku në një mori rastësh të regjistruara në Francë, Italia dhe Gjermani virusi ka fuqinë të transmetohet te njerëzit dhe ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që të shkaktojë komplikacione të rënda shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë