Shendet

Gripi i shpendëve ka ndryshuar dhe mund të infektojë njerëzit, një 11 vjeçare vdiq në Kamboxhia

Shkencëtarët kanë zbuluar se një lloj gripi shpendësh që i mori jetën një nxënëseje në Kamboxhia ka evoluar dhe mund të infektojë lehtësisht qelizat njerëzore dhe sipas tyre, kjo është shumë shqetësuese.

Shkencëtarët që bënë zbulimin thanë se kjo 'duhet të trajtohet me shqetësimin më të madh'.

Ata shtuan se kishte disa indikacione se virusi tashmë ka ndryshuar mjaft, duke u kthyer në një rrezik më të madh.

Vajza 11-vjeçare, nga provinca Prey Veng, javën e kaluar u bë viktima e parë e H5N1 në 2023. Edhe babai i saj ka rezultuar pozitiv për virusin, por nuk ka shfaqur simptoma.

Doktor Erik Karlsson, i cili deshifroi sekuencën gjenetike të virusit të vajzës tha se ai ndryshonte nga virusi i marrë nga zogjtë çka tregon se ndryshon edhe kur kalon nga njeriu tek njeriu.

Por ai shtoi se virusi ende nuk është përshtatur plotësisht me njerëzit, duke thënë se në thelb mbetet “një virus i shpendëve”.

Karlsson thotë se lloji në formën e tij aktuale nuk ka gjasa të shkaktojë një shpërthim të madh por problem mbeten vetëm mutacionet.

Duke u bërë thirrje të gjithëve që të vazhdojnë të monitorojnë virusin, ai tha se e njëjta gjë që ndodhi në Kamboxhia mund të ndodhë kudo dhe nuk dihet se deri ku shkon ky problem.

Më shumë se 15 milionë shpendë janë infektuar dhe kanë ngordhur, ndërsa qeveritë kanë shkatërruar kolektivisht më shumë se 200 milionë në mbarë botën për të frenuar përhapjen e virusit, përfshirë 58 milionë vetëm në SHBA.

Patogjeni tashmë ka kaluar nga zogjtë te gjitarët, duke shkaktuar frikën se tani është një hap afër përhapjes tek njerëzit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë