Shendet

Gripi i shpendëve, ekspertët: Edhe Shqipëria e rrezikuar, merren masat e para

Gazeta Si - Gripi i shpendëve është kthyer në një alarm për mbi 20 vende në botë ku shumë prej tyre kanë filluar edhe vaksinimin tashmë, një hap që më parë as nuk e imagjinonin.

Roland Meçaj, drejtor i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thotë për Gazetasi.al se gripi i shpendëve është një infeksion që sjell dëme të mëdha në ekonomitë e mbarështimit të shpendëve, “kjo e vërtetuar dhe nga dëmet e mëdha që shkaktoi vitin e kaluar në stabilimente të mbarështimit të shpendëve në vendin tonë”.

LEXO EDHE:
- Gripi i shpendëve po shtyn botën drejt vaksinës që dikur askush s'e dëshironte
- Sa mundësi ka që të kemi një pandemi gripi të shpendëve te njerëzit?

Edhe pse shumë vende kanë prezencë të gripit tek shpendët shtëpiakë apo shtegtarë, Meçaj thotë se në Shqipëri, nga momenti i rastit të fundit vitin e kaluar, “nuk kemi pasur asnjë rast me këtë sëmundje”.

Kjo referuar analizave laboratorike të realizuara nga AKVMB në laboratorin e referencës ISUV.

Meçaj thotë për Gazetasi.al se rreziku për shfaqjen e sëmundjes ekziston në çdo moment dhe për të minimizuar këtë, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë, së bashku me veterinerët kanë bërë një survejancë aktive në 135 ferma me mbi 750 mostra analize.

“Në të gjitha rastet kemi përgjigje negative për grip shpendësh”.

Duke qenë se gripi i shpendëve mund të mbërrijë dhe në Shqipëri, AKVMB po monitoron në mënyrë të vazhdueshme stabilimentet, fermat shtëpiake dhe lagunat ku ka shpendë shtegtarë.

“Kemi bërë një fushatë sensibilizimi dhe komunikim për rritjen e kushteve të biosigurisë, si një nga pikat bazë për profilaksinë e kësaj sëmundje.

Meçaj thotë se nga kontrollet e ushtruara dhe komunikimet që kanë pasur, nuk kanë hasur problematika lidhur me Influencen Aviare (Gripi i shpendëve). Ai shton se edhe fermerët janë vënë në lëvizje për të parandaluar një infeksion të mundshëm.

“Ato kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme karantinimin dhe lëvizjen e kafshëve”.

Meçaj thotë se është mjaft i rëndësishëm monitorimi i vazhdueshëm i shpendëve shtegtarë për të mos rrezikuar infektimin e shpendëve në Shqipëri.

Nëse H5N1 zhvillon mutacione që e bëjnë më të lehtë transmetimin te njerëzit, ekspertët i frikësohen shfaqjes së një pandemie që mbart më shumë rreziqe për shëndetin global sesa shpërthimi i Covid-19. Megjithëse gripi i shpendëve ka infektuar relativisht pak njerëz, shkalla e vdekshmërisë së tij është rreth 50 për qind, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë