Shendet

Gripi dhe virusi sincicial sundojnë Covid? Mjeku Sulçebe: Të aplikohet një dozë e vetme vaksine dhe të rikthehen maskat

Nga Gazeta Si- Shqipëria ka hyrë në pikun e sezonit të gripit, por në ndryshim nga viti i shkuar, tashmë në qarkullim janë 3 viruse, gripi, covid-19 dhe virusi sincicial, ku gripi dhe virusi sincicial po shtojnë më shumë numrin e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të moshuar.

Mjeku imunolog Genc Sulçebe në intervistë për Gazetasi.al thotë se megjithëse Covid-19 është i padëmshëm tashmë pas 3 vitesh pandemi, rrezik përbën mbivendosja e viruseve.

Cilat janë të rejat më të fundit nga situata e Covid-19 në vendin tonë?

Stina e ftohtë dhe kontaktet e ngushta në ambientet e mbyllura si dhe lëvizjet e mëdha të njerëzve lehtësojnë qarkullimin e të gjitha viruseve si viruset e gripit, Covidit apo të virusit respirator sinsicial që janë tre viruset që predominojnë në këtë periudhë.

Virusi i Covid-19 është më ngjitësi nga të tre këta virusë dhe varianti omicron i tanishëm ndryshon gjithmonë që të përshtatet.

Por pas tre vite pandemie imuniteti i popullatës ka arritur maksimumin dhe ky virus është praktikisht i padëmshëm tani për të rriturit e shëndetshëm. Përjashtim bëjnë këtu fëmiëjt e vegjël që nuk kanë rënë në kontakt me virusin dhe të moshuarit mbi 60-vjeç me sëmundje shoqëruese.

Këto dy grupe duhet të vaksinohen, sepse rrezikojnë të kalojnë forma të Rënda të Covid-19.

Genc Sulçebe

Çfarë ndryshimesh ka pësuar Covid-19? A duhet të vijohet me vaksinimin dhe sa të mbrojtur jemi aktualisht, ku kur ka 2 vite që nuk kemi aplikuar dozë të re vaksine?

Virusi i Covid-19 ndryshon që të mbijetojë duke infektuar sa më shumë njerëz, por kjo nuk do të thotë se bëhet më i rrezikshëm pasi në shumicën dërrmuese të të rriturve, sistemi imunitar tashmë është i stërvitur ta përballojë me sukses këtë infeksion.

Viruset e gripit dhe virusi respirator sincicial që qarkullojnë shumë tani nuk kanë qenë në kontakt prej tre vitesh me popullatën e përgjithshme, sepse virusi i covid-9 dhe përdorimi masiv i maskave ka penguar kontaktin e tyre me njerëzit dhe si pasojë imuniteti i përgjithshëm i popullatës "i ka harruar" këto viruse. Pra nuk është se këta viruse kanë ndryshuar, por imuniteti kolektiv ndaj tyre është "i fikur".

Prandaj rekomandohet vaksinimi çdo vit me vaksinën e gripit, ndërsa për virusin respirator sinsicial nuk ka akoma vaksinë. Përdorimi i maskave dhe evitimi i grumbullimeve masive të njerëzve janë i vetmi mjet i evitimit ndaj këtyre infeksioneve.

Cilat janë masat që duhet të zbatojnë institucionet përkatëse dhe cili target grup duhet të jetë prioritet?

Popullatat më të prekshme si fëmijët e vegjël dhe të moshuarit me sëmundje shoqëruese duhet të vaksinohen nga gripi dhe Covid-19.

Një dozë e vetme vaksine është e mjaftueshme. Gjithashtu të përdoren maskat në spitale, poliklinika dhe nga të gjithë ata me imunitet të dobësuar.

 Këta të fundit të evitojnë në maksimum vendet me grumbullime ose të mbajnë maska aty ku ka grumbullime të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë