Futboll

Grezda pështyn kundërshtarin, Xherard i tregon derën

Eros Grezda ka bërë një gjest të turpshëm në Skoci, që duket se i ka vënë vulën largimit të tij nga Gllasgou Rejnxhërs. Lojtari i Kombëtares (nuk është grumbulluar nga trajneri Edi Reja në ndeshjet e fundit), ka pështyrë lojtarin kundërshtar, Endrju Bërn, gjatë një ndeshje që ai po luante me 21-vjeçarët e Rejnxhërs ndaj Balimena Junajtid. Një veprim i papranueshëm, që ka sjellë reagimin e gjithë lojtarëve kundërshtare dhe trajnerit të tyre.

Një gjest shumë i shëmtuar, por sulmuesi anësor e ka thelluar edhe më tej skandalin, duke mos pranuar as të kërkojë falje. Një situatë që ka lënë të shtangur edhe shokët e ekipit të Grezdës dhe që e ka detyruar kapitenin Greg Doçerti të shkojë në dhomat e zhveshjes të kundërshtarit për të kërkuar falje. Drejtuesit e klubit të madh skocez, Gllasgou Rejnxhërs, janë treguar të përmbajtur për momentin, duke pohuar thjesht se do të merren masa ndaj Grezdës.

Grezda gjatë ndeshjes Shqipëri-Itali në Shkodër. Gazeta Si, 21 shtator 2019

Megjithatë, nuk ka vonuar dhe sipas asaj që raporton shtypi sportiv skocez, trajneri Stiven Xherrad e ka thënë qartë se Grezda nuk mund të mbajë më fanellën e Rejnxhërs, pasi ka pështyrë kundërshtarin. Trajneri anglez e kishte lënë Grezdën jashtë skuadre, duke e konsideruar të panevojshëm. Sulmuesi stërvitej dhe luante me të rinjtë, por tani ka katranosur gjithçka dhe trajneri i ka treguar derën, duke mos i lënë asnjë shans.

Është një periudhë shumë negative për Eros Grezdën, i cili disa muaj më parë la grumbullimin e Kombëtares, pas një përplasjeje me trajnerin Edi Reja, pasi ky i fundit e kishte lënë jashtë formacionit. Grezda me arrogancë i ishte drejtuar trajnerit se ai luan me Gllasgou Rejnxhërs dhe nuk mund të qëndronte në stol, ndaj dhe u largua, ndërsa për shtypin sportiv u justifikua me një dëmtim. Reja sqaroi për këtë përplasje se ishte një vendim i vetë lojtarit dhe për dy ndeshjet e fundit nuk e grumbulloi, aq më tepër që nuk ka luajtur. Tani problemet e Grezdës janë bërë edhe më serioze. Ai ka nevojë të rehabilitohet, me shumë mundësi, me një skuadër tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë