Kombetarja

Grezda jashtë ndaj Francës dhe Islandës, një ftesë për Klaus Gjasulën

Lista e trajnerit të Kombëtares, Edi Reja, do të ketë të reja për dy ndeshjet e muajit shtator me Francën dhe Islandën, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2020. Italiani ka ndjekur me kujdes të gjithë lojtarët kohët e fundit dhe e ka në mendje listën, që pritet ta bëjë publike së shpejti. Megjithatë, nga burime jo zyrtare mësohet se do të ketë të reja, ku veçohen lënia jashtë e Eros Grezdës dhe grumbullimi i Klaus Gjasulës.

Eros Grezda gjatë një grumbullimi me kuqezinjtë. Gazeta Si, 27 gusht 2019

Eros Grezda, sipas të gjitha gjasave, do të jetë jashtë listës së Kombëtares ndaj Francës dhe Islandës. Përveçse ka pasur një kontradiktë me trajnerin Reja në ndeshjet e fundit, kur sulmuesi anësor la Kombëtaren me pretekstin e dëmtimit, ajo që ia mohon grumbullimin ka të bëjë me faktin se ai nuk po luan. Grezda është jashtë planeve të trajnerit të Gllasgou Rejnxhërs, Stiven Xherard, i cili më parë ia ka dhënë shansin. Në klubin skocez nuk e vënë në diskutim talentin e sulmuesit të kuqezinjve, por gjithashtu janë shprehur se Grezda është nga ata lojtarë që nuk i shërbejnë skuadrës. Sulmuesi po kalon një situatë të vështirë me klubin që do ta lërë edhe jashtë Kombëtares. Trajneri Edi Reja ka pranuar më parë polemikat me Grezdën, duke u shprehur ishte vendim personal i tij largimi nga grumbullimi herën e fundit, por e la të hapur rikthimin në Kombëtare të këtij futbollisti. Në kushtet aktuale duket e vështirë që kjo gjë të ndodhë, të paktën për Francën dhe Islandën.

Klaus Gjasula me fanellën e Paderbornit. Gazeta Si, 27 gusht 2019

Risia e listës së trajnerit Reja për ndeshjet e shtatorit pritet të mesfushori i qendrës, Klaus Gjasula, i cili aktivizohet me Paderbornin, një ekip i ngjitur këtë sezon në Bundesligë. Gjasula, 29 vjeç, luan gjithashtu edhe në qendër të mbrojtjes dhe është një lojtar që do t’u bënte punë kuqezinjve. Klausi është vëllai i ish-futbollistit të Kombëtares, Jurgen Gjasulës. Ai luan titullar me Padërbornin dhe është aktivizuar në të dyja ndeshjet e deritanishme të kampionatit gjerman. E veçanta është se Klaus Gjasula luan me një kaskë mbrojtëse në kokë. Ai ka lindur në Tiranë dhe ka edhe nënshtetësinë gjermane, pasi prej vitesh ka luajtur në kategoritë inferiore të këtij vendi, për të mbërritur deri në Bundesligë me Paderbornin.

Në listën e trajnerit Reja mund të ketë edhe ndryshime të tjera, madje thuhet se në diskutim është edhe prania e Armando Sadikut, sulmuesit që nuk po luan dhe që nuk e ka të qartë të ardhmen e tij. Marash Kumbulla, pas debutimit në Serinë A, me siguri do të jetë përsëri në listën e Rejës. Pritet të rikthehet edhe mesfushori i Malagës, Kejdi Bare, pas paraqitjeve të mira të kohëve të fundit. Shqipëria mban vendin e 4-t në Grupin H të kualifikueseve për në Euro 2020. Kryesojnë Franca, Turqia dhe Islanda me nga 9 pikë secila, ndërsa kuqezinjtë kanë 6 pikë, pas fitoreve me Andorrën dhe Moldavinë. Ndeshja me Francën luhet në transfertë më 7 shtator, kurse me Islandën më 10 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë