Kombetarja

Grezda ikën para kohe në Skoci, ndryshon strategjia kuqezi

Eros Grezda nuk është në dispozicion të trajnerit Kristian Panuçi për ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve me Izraelin, që zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Sulmuesi anësor ka marrë leje nga stafi teknik i Kombëtares dhe është larguar nga grumbullimi i kuqezinjve për të shkuar para kohe në Skoci, ku do të luajë në vazhdim, pasi vetëm pak ditë më parë ka firmosur për klubin e madh të Gllasgou Rejnxhërs. Vendimi për ta lejuar Grezdën të largohet ka të bëjë me një rehabilitim fizik të tij, në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjen me Skocinë, që luhet më 10 shtator.

Lajmi është konfirmuar për Gazeta Si nga zyrtarë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë saktësuar se Eros Grezda do të bashkohet me ekipin në Skoci dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë në grup të Ligës së Kombeve. Lojtari më i ri i Gllasgou Rejnxhërs vjen nga një periudhë e gjatë larg fushave për shkak dëmtimi dhe nuk është në gjendjen e tij optimale. Vetë trajneri Panuçi ka pranuar se Grezda nuk mund t’i përballojë ndeshjet të plota dhe, me sa duket, ka menduar ta “ruajë” për ndeshjen me Skocinë në transfertë.

Eros Grezda në stërvitje me Kombëtaren

Me Grezdën jashtë grupit ndryshon edhe strategjia e trajnerit italian për ndeshjen me Izraelin. Vetë trajneri Panuçi ka thënë në konferencë shtypi se grupi gëzon formë të mirë dhe se për formacionin do të vendosë para ndeshjes, por alternativat për të në sulm janë limituar ndjeshëm, duke marrë parasysh dëmtimin e Odise Roshit dhe lënien jashtë liste të Sokol Cikalleshit, Azdren Llullakut dhe të Kristal Abazajt, që kaloi te Kombëtarja U-21. Një mundësi është që në vend të Grezdës të luajë Sindrit Guri, i cili është aktivizuar në krah kur luante me Kukësin. Por Panuçi ka në ekip vetëm dy qendërsulmues, Bekim Balajn dhe Sindrit Gurin, kështu që do të rrezikonte, nëse do t’i hidhte në fushë nga minuta e parë që të dy.

Një mundësi tjetër është aktivizimi i Enis Gavazajt në të majtë të sulmit dhe kalimi i Jahmir Hykës në të djathtë, për të mbështetur sulmuesin e vetëm, që do të jetë njëri mes Balajt dhe Gurit. Nëse luan ish-lojtari i Skënderbeut, Gavazaj, aktualisht në kampionatin rus, do të jetë vërtet befasi. Edhe Ledian Memushaj është një lojtar që ka cilësi për të mbështetur sulmin. Të sigurt në formacion janë Hysaj, Gjimshiti, Basha, Xhaka, Hyka dhe Memushaj, ndërsa për të tjerët ka dilema. Për portën, Thomas Strakosha ka fituar kuota së fundi kundrejt Etrit Berishës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë