Kombetarja

Grezda gati për kombëtaren: Na duhen këto dy fitore

Në ditën e parë të grumbullimit të kombëtares shqiptare për ndeshjet eliminatore të kampionatit europian për mediet kanë folur dy sulmuesit, Armando Sadiku dhe Eros Grezda. Sulmuesi gjakovar, Grezda pasi ka lënë pas krahëve dëmtimin është shprehur i gatshëm për të luajtur për ekipin kombëtar në çdo pozicion që do ia kërkojë trajneri.

“Kohën që kam qenë i dëmtuar kam punuar shumë dhe unë jam gati të jap maksimumin. Trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij dhe mua më takon të bej maksimumin tim. Për sa i përket pozicionit nuk ka shumë rëndësi, pasi për sa kohë skuadrës i shërben kjo gjë, normal që do jem aty ku trajneri do e kërkojë. Për sa kohë luaj në krahë nuk ka shumë rëndësi në të djathë apo në të majtë, pasi për mua njëlloj është. Në momentin që u lëndova, nga ekzaminimet e para doli që ishte një dëmtim serioz, mendova në fillim që mos të humb kombëtaren dhe kam punuar shumë edhe me përgatitës individual dhe mund të them që ndihem shumë mirë dhe tani të presim se si do të shkojnë këto ndeshje”- tha Eros Grezda.

Sakaq sa i përket rikthimit të tij dhe të Armando Sadikut në repartin e sulmit, Grezda tha se shpreson që kjo gjë që të përkojë edhe me rikthimin e ekipit kuqezi në rezultatet pozitive në këto dy ndeshje me Turqinë dhe Andorrën. “Shpresoj të rikthehemi te rezultati pozitive dhe jam shumë i lumtur që Sadiku është këtu dhe ne merremi vesh dhe shpresojmë që të arrijmë rezultate sa më të mira. Së pari duhet ta bëjmë për veten tonë dhe me të vërtetë që na duhen këto dy fitore për vazhdimësinë e grupit. Besoj se nëse ne do të provojmë deri në fund do i kemi shanset tona. Do të bëjmë çdo gjë që mundemi dhe besoj se kemi një shans të mirë për ta bërë kombin tonë krenar.”

Ndërsa kur pyetet për një krahasim mes Panuçit dhe Zherrad, trajner i tij te Reinxhers, Eros Grezda tha se të dy janë shumë të aftë, por me veçoritë e tyre dalluese. “Janë dy tipa të ndryshëm dhe unë i pëlqej të dy. Janë të dy shumë profesioniste, normal që Panuçi më ka dhënë më shumë hapësira për shkak edhe të garës dhe konkurrencës në ekip.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë