Greqia do të njohë pasaportat shqiptare që u ka përfunduar afati, ose u përfundon para 31 dhjetorit 2020, datë kur është vendosur nga Qeveria shqiptare shtyrja e vlefshmërisë së tyre.
Vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme greke, që njeh kështu një vendim të mëhershëm të Qeverisë shqiptare, që për shkak të pandemisë së koronavirusit zgjati vlefshmërinë e të gjitha pasaportave dhe kartave të identitetit që skadojnë brenda këtij viti, deri në datën 31 dhjetor 2020.
Ky vendim i palës greke pritet që jo vetëm të reduktojë lëvizjet në dy pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës, por edhe të shmangë grumbullimet e mëdha të shqiptarëve në Ambasadën e Athinës dhe në Konsullatën e Selanikut, ku ofrohej shërbimi i rinovimit të pasaportave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, kundrejt pagesës prej 150 eurosh.

Mijëra emigrantë shqiptarë dyndeshin nëpër zyrat e ambasadës shqiptare në Greqi dhe të tjerë vendosnin të ktheheshin në Shqipëri kryesisht për të aplikuar për rinovimin e pasaportave, për shkak se u rrezikohej rinovimi i lejeve të qëndrimit dhe lejeve të punës. Por, pas këtij vendimi Greqia premton se do të rinovojë dokumentacionin edhe të atyre personave që u ka skaduar pasaporta përgjatë pandemisë së koronavirusit, kur hynë në fuqi kufizimet e lëvizjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.