Sociale

Greqia karantinon kampin e refugjatëve pas rasteve me Covid-19

Greqia ka karantinuar një kamp emigrantësh, pasi 23 azilantë aty kanë rezultuar pozitiv nga koronavirusi.  Kjo është deklaruar nga autoritetet greke të enjten e ato shprehen se ky kamp është i pari e i vetmi që është goditur prej koronavirusit.

Testet u zhvilluan në kampin e azilantëve pas identifikimit me koronavirus të një 19-vjeçareje që teksa po lindte fëmijën e saj në një spital të Athinës u zbulua që të ishte e infektuar. Ajo është rasti i parë i identifikuar midis mijrave azilantëve që jetojnë në kampet e tejmbushura të shpërndara në Greqi.

Nga rastet e konfirmuara me koronavirus asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma, shprehet Ministria e Shëndetësisë Greke.

Greqia e ka raportuar rastin e parë me koronavirus në fund të shkurtit. Ajo ka raportuar gjer tani 1425 raste infeksioni dhe 53 vdekje.

Greqia duket se është pika e kalimit e qindrave mijrave emigrantëve që kalojnë nga konfliktet e varfëritë e vendeve të lindjes së mesme për një jetë më të mirë në Europë.

Kampi i azilantëve ka dhe një zonë izolimi për pacientët me koronavirus, sipas burimeve të marra nga Reuters.

Ndërkohe agjencitë e ndihmës i kanë rideklaruar thirrjet e tyre për veprime më të koordinuara të vendeve europiane për ta menaxhuar më mirë krizën e emigrantëve.

“Është e nevojshme në mënyrë urgjente që të evakuohen emigrantët jashtë ishujve grekë për në vendet e tjera të BE-së” shprehet Leila Bodeux, punonjëse mbi politikat e ndihmave për emigrantët në agjencinë Caritas Europa, e cila merret me çështjet e individëve të marxhinalizuar apo të varfër ekonomikisht.

Komisioneria e çështjeve të brendshme e BE-së Ylva Johansson shprehet se ky rast është një paralajmërim i mirë se çfarë mund të ndodhë nëse virusi përhapet në kampet më pak mirë të organizuara e që janë të shpërndarë nëpër ishujt grekë.

“Kjo mund të rezultojë në një krizë masive humanitare. Ky është një rrezik si për refugjatët që kanë gjetur mikpritje në vendet jashtë BE-së apo dhe për ata që po jetojnë në kondita të papërballueshme nëpër ishujt grekë” shprehet znj Johansson në një debat të parlamentit europian.

Më shumë se 40,000 azilantë kanë ngelur në kampet e refugjatëve nëpër ishujt grekë, në kondita të cilat vetë qeveria greke i ka përshkurar si “bomba me sahat për shëndetin e tyre kolektiv”

Kryeminsitri Kyriakos Mitsotakis është shprehur se Greqia është e gatshme t’i mbrojë kampet e refugjatëve në ishujt e saj, ku gjer tani në ato vende nuk është identifikuar ndonjë rast me covid-19, por kërkon dhe mbeshtetjen e BE-së.

“Konditat janë larg atyreve ideale, por më duhet të theksoj se Greqia po përballet me këtë problem me mënyrën e vet... Ne nuk kemi pasur aq shumë mbështetje nga BE-ja sa kemi dëshiruar” shprehet zoti Mitsotakis për një intervistë me CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë